Aktorja italiane Monica Bellucci ka thyer heshtjen pas ndarjes së papritur nga regjisori i njohur Tim Burton. Në një intervistë për Vogue Italia, ajo foli për herë të parë rreth kësaj historie që përfundoi, duke ruajtur tonin e saj të zakonshëm elegant dhe të ndjerë:

Ka rrugë që në një moment të caktuar kryqëzohen për të ndërtuar një udhëtim që vazhdon përgjithmonë… Rruga ime dhe ajo e Tim u takuan për të bërë një pjesë të këtij udhëtimi bashkë dhe pastaj për t’u ndarë sërish,” – u shpreh aktorja, duke shtuar: “Megjithatë, për sa kohë që do të kem jetë, Tim do të ketë gjithmonë një vend unik në zemrën tim.”

Vetëm pak ditë më parë, çifti e kishte bërë publike ndarjen me një deklaratë të përbashkët për agjencinë AFP, ku thuhej: “Me respekt dhe dashuri të ndërsjellë kemi vendosur të ndahemi”. Një komunikim i matur dhe i përmbajtur, që tregonte për një vendim të marrë në harmoni dhe respekt të ndërsjellë.

Romanca mes Belluccit dhe Burton filloi në tetor të vitit 2022, gjatë Festivalit Lumière të Lionit. Në vitin 2023, në një intervistë për Elle France, Monica e cilësoi regjisorin si “një burrë të mrekullueshëm”, duke theksuar lidhjen e fortë shpirtërore mes tyre. Çifti u shfaq për herë të parë në tapetin e kuq në tetor 2023, në Festa del Cinema di Roma, për premierën e filmit 'Diabolik, chi sei?'. Ndërsa dalja e fundit publike ishte në qershorin e këtij viti, gjatë Festivalit të Taorminës, ku u panë dorë për dore. Atëherë, Monica deklaroi:
“Tim është personi me të cilin jam. E respektoj si regjisor, është i jashtëzakonshëm. Por unë jam me burrin, jo me artistin.”

Në moshën 23-vjeçare, Monica u martua në fshehtësi me fotografin argjentinas Claudio Carlos Basso, por martesa zgjati vetëm një vit. Më pas erdhi lidhja e gjatë dhe pasionante me aktorin Nicola Farron, që zgjati rreth gjashtë vjet.
Historia më e madhe e saj e dashurisë mbetet ajo me aktorin francez Vincent Cassel, të cilin e njohu në vitin 1996 gjatë xhirimeve të filmit L’Appartement. Ata u martuan në vitin 1999, sollën në jetë dy vajza, Deva dhe Léonie, dhe pas 14 vitesh martesë u ndanë në vitin 2013.

Pas ndarjes nga Cassel, Bellucci ka jetuar disa lidhje më të rezervuara, përfshirë atë me skulptorin dhe regjisorin francez Nicolas Lefebvre, 18 vite më i ri se ajo. Por kapitulli i fundit i dashurisë së saj ishte ai me Tim Burton, një kapitull që nisi në vitin 2022 dhe që, për arsye të paqarta, ka marrë fund sot.

Megjithatë, edhe pse rrugët e tyre janë ndarë, Monica Bellucci thekson se regjisori i famshëm do të mbetet gjithmonë një pjesë e pandashme e jetës së saj emocionale.