Arbana Osmani ka realizuar një bisedë virtuale me ndjekësit e saj në Instagram duke u dhënë atyre mundësinë t'i drejtojnë pyetje të ndryshme përmes 'Ask a questions.'
Dhe, siç pritej, pyetjet për “Big Brother” nuk munguan. Këtë herë, moderatorja vendosi të japë edhe një kritikë a perspektivë mbi reality-showt në përgjigjen e saj.
E pyetur nëse do t’i rikthehet ndonjëherë moderimit të këtij formati, Arbana u shpreh se ndonëse ftesat nuk i mungojnë, problemet janë më të mëdha se kaq:
“Shiko, çdo vit më vijnë ftesa për të drejtuar reality show me idenë për të sjellë diçka 'ngjitëse' si Big Brother dikur. Problemi është që tani nuk vendos më produksioni 'i famshëm', por algoritmet. Dhe këto të fundit kanë krijuar një kaos, kanë shkatërruar realitetin që kishim dikur në këto formate. Nga 'reality' ka mbetur pak ose asgjë. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por është një dukuri globale.”
Osmani shtoi se në të ardhmen, formatet e tilla do të ngjajnë gjithnjë e më pak me një spektakël televiziv dhe më shumë me një videolojë:
“Kam përshtypjen se reality show-t janë në një fazë transformimi të thellë, dhe gjithnjë e më shumë do funksionojnë si videogame.”
Pyetjes se çfarë ndjen ndryshe me "Mirëmbrëma yje" nga gjithë eksperiencat e saj, Arbana i është përgjigjur me "Lehtësinë e pakrahasueshme e të qenit e lirë."
E pyetur se pse vendosi që emisionin ta bënte në YouTube dhe jo TV, ajo iu përgjigj duke thënë se "edhe duke qenë në YouTube njerëzit vazhdojnë të zgjedhin të më shohin në TV."
Pra, ndonëse fati i Arbanës në reality show duket i mbyllur, fansat e saj s’kanë arsye për t’u mërzitur. Moderatorja është duke u përgatitur për rikthimin në ekran me projektin e ri “Mirëmbrëma yje”, ku publiku do ta shohë shumë shpejt në një tjetër dritë.