Në Javën e Modës në Milano, Louise Trotter prezantoi koleksionin e saj të parë Pranverë/Verë 2026 për Bottega Veneta. Ishte një debutim që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kritikëve, duke u konsideruar si një nga momentet më të forta të sezonit.

Koleksioni shfaqi një estetikë të balancuar mes strukturës klasike dhe lirisë moderne. Siluetat boxy, belat e theksuar dhe ndikimet e viteve ’80 sollën një energji të freskët, ndërsa materialet si mëndafshi i lehtë dhe lëkura e trajtuar i dhanë dinamizëm çdo veshjeje.

Elementi më ikonë i shtëpisë, Intrecciato, nuk u përdor thjesht si dekor, por u integrua në mënyrë të zgjuar në strukturën e veshjeve dhe aksesorëve. Ky detaj simbolizoi bashkimin e traditës me inovacionin, duke treguar se Bottega Veneta po ndërton të ardhmen mbi themelet e saj të forta.

Trotter solli një tailoring të sofistikuar, por të kombinuar me tekstura të papritura si, franja dhe lëkurë të punuar, duke krijuar kontraste mes elegancës së përjetshme dhe energjisë bashkëkohore. Veshjet u shfaqën si një ftesë për liri lëvizjeje, pa e humbur asnjëherë sensin e rafinimit.

Në pistë u panë reinterpretimet e modeleve ikonike si Lauren, Knot dhe Cabat, por edhe risitë që sinjalizojnë drejtimin e ri të markës: Squash, Framed Tote dhe Crafty Basket. Çantat u paraqitën si objekte të fuqishme stili, të menduara për t’i rezistuar kohës.