Këngëtarja e njohur Fifi ishte së fundmi e ftuar në Top Albania Radio, ku foli hapur për sfidat e karrierës dhe jetën pas lindjes së fëmijës.
Në një rrëfim të sinqertë, artistja pranoi se periudha pas ardhjes në jetë të djalit ka sjellë ndryshime të dukshme në raportin e saj me muzikën dhe koncertet.
“Nuk jam shumë mirë me koncertet, nuk e di çka ka ndodhur… ndoshta edhe ky tranzicion prej një gruaje artiste që jam marrë me muzikën 100% dhe jam bërë nënë, ka krijuar perceptimin te njerëzit se ‘është bërë nënë dhe s’do të këndojë për disa vite’. Ndërkohë që unë kam qenë shumë aktive,” – tha Fifi.
Ajo shtoi se skena shqiptare po përjeton një transformim, ku klubet e natës po lënë vendin për koncertet e mirëfillta:
“Mendoj se i ka ardhur epokës së klubeve fundi dhe po vjen periudha e koncerteve të mirëfillta, të cilin do ta realizojmë shumë shpejt vitin tjetër. Jemi në fazat e para të përgatitjes.”
Fifi la të kuptohet se në vitin 2026 do të nisë një seri koncertesh recitale, ndonëse ende nuk ka vendosur nëse turneu do të startojë nga Tirana apo Prishtina.
“Do të jetë një rikthim i fuqishëm, i fokusuar te muzika dhe publiku,” – deklaroi ajo, duke paralajmëruar fansat për projekte të mëdha që pritet të sjellë vitin e ardhshëm.
Edhe pse ka qenë aktive me projekte muzikore gjatë periudhës pas lindjes, Fifi tani duket e vendosur për një rikthim të plotë në skenë, duke premtuar emocione të reja dhe energjinë e saj karakteristike që e ka bërë një nga këngëtaret më të dashura të publikut shqiptar.