Disa cilësi trashëgohen brez pas brezi (jo, nuk është reklamë për American Eagle). Në rastin e familjes Kravitz, mund të themi me siguri se ekziston një gjen i veçantë për ndarje pa dramë dhe tek Lenny e Zoë Kravitz është aq i fortë sa s’ia vlen as të bësh një tabelë Punnett për ta shpjeguar.
Le të nisim nga babai. Në një intervistë në maj 2024, Lenny Kravitz tregoi se është beqar dhe se për të marrëdhëniet janë një “çështje shpirtërore”. Ai tha se ka kaluar nëntë vite pa një lidhje serioze, dhe ndërkohë i mbush netët me stërvitje në orën 2 të mëngjesit (pantallonat e lëkurës, opsionale).
Nga viti 1987 deri më 1993, Lenny ishte i martuar me aktoren Lisa Bonet, me të cilën ka vajzën e tij Zoë (lindur në 1988). Ndryshe nga shumë ish-çifte që mezi e përballojnë të jenë në të njëjtin vend për hir të fëmijëve, Lenny dhe Bonet mbetën miq të vërtetë.
“Që në momentin e parë ndjeva një lidhje me të,” – shkruan Lenny në autobiografinë e tij Let Love Rule.
“Koha u ndal. Kishte magnetizëm mes nesh. Ishim nga i njëjti fis.”
Edhe pse martesa përfundoi në 1993, Lenny i tha New York Times:
“E dua ende shumë. Më shumë nga sa mund ta dijë ndonjëherë.”
Vite më vonë, ai e ka quajtur Lisa-n “mikja ime më e mirë”, dhe madje edhe ish-bashkëshortin e saj të dytë, Jason Momoa, e ka përshkruar si “vëlla”. (Bonet dhe Momoa u ndanë në janar 2022 dhe e finalizuan divorcin në korrik 2024).
Në listën e marrëdhënieve miqësore të Lenny-t hyn edhe Nicole Kidman, me të cilën ishte fejuar pas divorcit të saj nga Tom Cruise. Edhe pse marrëdhënia përfundoi para dasmës, u mbajt e fshehtë për vite. Vetëm në 2017, kur Nicole dha një intervistë për Big Little Lies, përmendi rastësisht se “po, e njoh babain e Zoë-s… sepse isha e fejuar me të!”
“E njoh Zoë sepse isha fejuar me babain e saj,” – tha Nicole me të qeshur. “E dua Lenny-n, është një njeri fantastik.”
Ndarje pa zhurmë! Marrëdhënie të pjekura! Kuptimi se martesa s’është gjithmonë përgjigjja!
Sot, duket se Zoë Kravitz ka trashëguar të njëjtin talent. Kohët e fundit, ajo është parë me Harry Styles, duke shënuar me shpejtësi destinacione të ndryshme në hartë: dorë për dore në Romë, puthje në Londër, drekë me babain në New York. Brukseli, bëhu gati. Tokio, mos e mbyll syrin!
Si babai, ashtu edhe vajza: edhe Zoë di të ndahet bukur.
Në qershor 2019 ajo u martua me aktorin Karl Glusman, por pas 18 muajsh martese, çifti nisi procedurat e divorcit në dhjetor 2020. Dy vjet më vonë, në një intervistë për Elle, ajo e quajti ish-bashkëshortin e saj “një njeri të jashtëzakonshëm.”
Ajo ka shpjeguar se filozofia e saj për dashurinë është pothuajse identike me atë të babait:
“Në çdo marrëdhënie miqësi, dashuri apo familje gjëja më e rëndësishme është të jesh i sinqertë. Ndonjëherë nuk ia dalim, dhe kjo është në rregull, për sa kohë që e bëjmë të ditur se kujdesemi për ata njerëz.”
Lidhja e saj e fundit serioze ishte me Channing Tatum, i cili luajti në filmin e saj debutues si regjisore, Blink Twice. Ata u fejuan, por u ndanë në tetor 2024 pas rreth tre vitesh.
Sipas burimeve, ndarja ishte (natyrisht) miqësore.
Një burim i Page Six tregoi se “e trajtuan ndarjen me pjekuri” dhe “pa asnjë mllef”. Zoë madje ka vazhduar ta vlerësojë publikisht Channing-un, duke i thënë Elle:
“E dua atë që krijuam bashkë dhe e vlerësoj shumë si njeri. Kur dëgjoj njerëzit të flasin për interpretimin e tij, më mbushet zemra me gëzim. Jam shumë mirënjohëse që e përjetuam këtë udhëtim bashkë.”
Edhe ndarjet e mëparshme të Zoë-s kanë ndjekur të njëjtin skenar pa dramë.
Ajo dhe Penn Badgley (2011–2013) u ndanë “në paqe dhe respekt”.
Me Drake, për të cilin u fol shumë në 2013, ajo e konfirmoi më vonë me humor: “Po, u takuam për pak kohë, jemi miq shumë të mirë.”
Ndërsa në 2024, ish-i saj Twin Shadow i uroi publikisht ditëlindjen duke e quajtur “një vajzë e mrekullueshme.”
Madje edhe Chris Pine, me të cilin u përfol për një flirt të shkurtër në 2014, mori ftesë për darkën para dasmës së saj në Paris në 2019.
Në një botë plot ndarje të zhurmshme e zemra të thyera publike, Lenny dhe Zoë Kravitz mund të japin një masterclass për artin e ndarjes me dinjitet.
Në rast se karrierat e tyre në muzikë dhe film bien ndonjëherë në krizë, një kurs “Si të ndahesh si një Kravitz” do të kishte radhë pritjeje.