Në epokën e rrjeteve sociale, udhëtimi nuk është më kërkim i përjetimit, por i fotografisë perfekte.
Sipas një studimi të ri nga Visit Italy, gati 79% e turistëve udhëtojnë për të fotografuar vende ikonike dhe për të ndarë pamjet në Instagram apo TikTok, ndërsa 71% e zgjedhin destinacionin vetëm sepse është viral.
Kështu, udhëtimi po shndërrohet në një listë kontrolli (“Checklist Era”) ku qëllimi nuk është të njohësh botën, por të provosh se ke qenë aty.
Ruben Santopietro, CEO i Visit Italy, në një fjalim në TEDx Padova, e përshkroi këtë si “pikën më të ulët të evolucionit të udhëtimit njerëzor”. Dikur njerëzit udhëtonin për mbijetesë, për tregti apo për njohuri kulturore. Sot, sipas tij, udhëtimet janë bërë performancë vizuale: një mënyrë për të kërkuar pranimin shoqëror përmes imazheve.
“Gjuha na tradhton duam të shënojmë çdo destinacion në listë për t’u ndier të pranuar,” – thotë Santopietro.
“Por në këtë mënyrë humbasim kuptimin e vërtetë të udhëtimit.”
Nga “Grand Tour” te “Instagram Tour”
Santopietro kujton se edhe në shekullin XIX, udhëtimet e aristokratëve kishin motive shoqërore, por ndryshe nga sot, ata qëndronin me muaj duke studiuar artin, kulturën dhe zakonet lokale.
Sot, validimi vjen nga postimet, jo nga përjetimet.
Edhe pse rrjetet sociale kanë kontribuar në “overtourism” – mbingarkesën turistike – ai beson se teknologjia mund të përdoret për mirë, për të promovuar destinacione më pak të njohura dhe për të shpërndarë më drejt flukset turistike.
Santopietro beson se epoka e “checklist travel” po arrin kulmin dhe se do të pasohet nga një formë e re e udhëtimit — më e qetë, introspektive dhe rigjeneruese.
“Së shpejti do të udhëtojmë jo për t’u treguar të tjerëve, por për t’u gjetur veten,” – thotë ai.
“Ndoshta do të kthehemi në origjinë: te udhëtimi si nevojë për të mbijetuar dhe për të kuptuar botën.”