Një udhëtim në Korenë e Jugut është ëndrra e çdo të apasionuari pas bukurisë. Qoftë për të mbushur valixhen me produkte të reja K-Beauty, apo për të provuar trajtime estetike që nuk ofrohen askund tjetër, Koreja ka qenë gjithmonë një magnet për kërkuesit e perfeksionit të lëkurës. Por tani, një nga trajtimet më të famshme koreane ka mbërritur më në fund në Shtetet e Bashkuara: Letybo, i njohur ndryshe si “K-Beauty Botox”.

Çfarë është Letybo?
Letybo – emri i plotë letibotulinumtoxinA ose Botulax, i njohur në Kore si “K-Tox” – është një neuromodulator i tipit A i toksinës botulinike. Ai është i miratuar nga FDA për trajtimin e vijave mes vetullave (të ashtuquajturat “glabellar lines”), por funksionon në mënyrë të ngjashme me Botox, Dysport, Xeomin, Jeuveau apo Daxxify, duke zbutur rrudhat dinamike të fytyrës.

Dermatologia estetike Dr. Y. Claire Chang nga UnionDerm shpjegon se Letybo dallon për rezultatet e tij më të buta, më të shpejta, më natyrale dhe më të përballueshme.

“Ka një histori të gjatë përdorimi në Kore dhe prodhohet nga një kompani shumë e respektuar, Hugel Inc. Çmimi i tij është më konkurrues se markat ndërkombëtare, gjë që e bën më të aksesueshëm për pacientët,” – thotë ajo.
Që prej prezantimit të tij në SHBA në mars 2025, Letybo është pozicionuar si konkurrenti më i madh i Botox-it. Me mbi 31 milionë trajtime të kryera globalisht dhe miratim në 65 shtete, përfshirë Kanadanë, Australinë dhe shumicën e vendeve europiane, ai po forcon gjithnjë e më shumë dominimin e K-Beauty në tregun perëndimor të estetikës.

“K-Beauty dhe degëzimi i saj më i avancuar, K-Aesthetics, kanë vërtetuar se janë këtu për të qëndruar,” – shprehet Ethan Min, CEO i BENEV, kompania amerikane që solli Letybo-n në SHBA në bashkëpunim me Hugel Inc.
“Filozofia koreane e inovacionit, pamjes rinore dhe fokusit në cilësinë e lëkurës është bërë po aq tërheqëse për konsumatorët amerikanë sa për ata në Kore.”

Si funksionon Letybo?
Letybo vepron duke reduktuar kontraktimin e muskujve të fytyrës. Ai bllokon lirimin e acetilkolinës, substancës që përdor trupi për të lëvizur muskujt. Kështu, zbut linjat e shprehjes si rrudhat e ballit, “crow’s feet” (rrudhat anash syve) apo “bunny lines” (rrudhat e hundës). Aktualisht është i miratuar vetëm për zonën mes vetullave, por dermatologët e përdorin shpesh edhe në zona të tjera.


A ka efekte anësore?
Sipas Dr. Sonia Badreshia, dermatologe në Elite MD, efektet anësore janë të njëjta si me çdo toksinë botulinike: mund të përfshijnë mavijosje, dhimbje koke, ënjtje apo, në raste të rralla, rënie të lehtë të qepallës.
Gratë shtatzëna apo gjidhënëse duhet ta shmangin trajtimin, dhe po ashtu personat me infeksione apo irritime aktive në zonën që do të trajtohet.

Ajo shton se, megjithëse Letybo ka një histori të gjatë përdorimi në Azi, të dhënat afatgjata në SHBA janë ende në proces mbledhjeje.

Çfarë ndodh gjatë një trajtimi?
Trajtimi fillon me një konsultë profesionale për të përcaktuar nëse jeni kandidatë të përshtatshëm. Lëkura pastrohet, dezinfektohet dhe, nëse dëshironi, mund të përdoret krem mpirës.
Injeksionet kryhen me gjilpëra shumë të holla për precizion maksimal, dhe çdo ënjtje e vogël kalon brenda një ore.

Kujdesi pas trajtimit
Pas trajtimit, rekomandohet që:

të mos shtriheni për 4 orë;
të mos prekni apo fërkoni zonën e trajtuar;
të shmangni palestrën, alkoolin, saunat dhe nxehtësinë për 24 orë;
të përdorni kujdes të butë për lëkurën dhe krem mbrojtës ndaj diellit çdo ditë.

Kur shfaqen rezultatet dhe sa zgjasin?
Rezultatet shfaqen brenda 2-3 ditëve, me efekt maksimal pas dy javësh. Zakonisht, efekti zgjat 3-4 muaj, në varësi të forcës së muskujve dhe metabolizmit të individit.

Sa kushton?
Çmimi ndryshon sipas klinikës dhe zonës së trajtuar. Në SHBA, një trajtim me Letybo kushton nga 180 deri në 300 dollarë, në varësi të dozës dhe specialistit.


Burimi: Vogue