Familja e aktores së famshme Diane Keaton ka zbuluar shkakun e vdekjes së saj, disa ditë pas ndarjes së papritur nga jeta të yllit të Hollywood.

Sipas një deklarate të dhënë për revistën People, Keaton ndërroi jetë nga pneumonia të shtunën, më 11 tetor 2025, në Kaliforni.

“Familja Keaton është jashtëzakonisht mirënjohëse për mesazhet e dashurisë dhe mbështetjes që ka marrë gjatë këtyre ditëve, në nder të Dianës sonë të dashur, e cila ndërroi jetë nga pneumonia më 11 tetor,” – thuhet në deklaratën zyrtare.

Një zëdhënës i familjes konfirmoi se aktorja u nda nga jeta në Kaliforni, ndërsa miqtë e saj kanë treguar se gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua shumë shpejt dhe papritur në muajt e fundit.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe ishte e papritur. Ishte tronditëse për të gjithë ata që e donin,” – tha një mik i afërt për People.

Keaton, e cila ishte 79 vjeçe, kishte zgjedhur ta mbante private betejën e saj me shëndetin, megjithëse në muajt e fundit kishte bërë disa ndryshime të mëdha në jetën e saj. Në mars, ajo kishte nxjerrë në shitje shtëpinë e saj luksoze në Los Angeles për 29 milionë dollarë, ndonëse më herët kishte thënë se planifikonte të qëndronte aty përgjithmonë.

Në deklaratën e familjes, u përmend se Diane Keaton ishte thellësisht e lidhur me kafshët dhe kishte një zemër të madhe për komunitetin e pastrehëve.

“Ajo i donte shumë kafshët dhe ishte e palëkundur në mbështetjen e saj për njerëzit në nevojë. Çdo donacion në kujtim të saj për një bankë ushqimore apo strehë kafshësh do të ishte një homazh i bukur për të,” – thuhej në njoftim.

Diane Keaton ishte një nga figurat më të dashura dhe më me ndikim në kinemanë amerikane, fituese e Çmimit Oscar për rolin në filmin “Annie Hall”. Karriera e saj përfshinte dhjetëra role të paharrueshme, nga “The Godfather” te “Something’s Gotta Give”.

Ajo nuk u martua kurrë, por kishte pasur marrëdhënie të njohura me Al Pacinon, Woody Allen dhe Warren Beatty. Në moshën 50-vjeçare, Keaton adoptoi dy fëmijë, vajzën Dexter dhe djalin Duke, të cilët mbetën pranë saj deri në fund.