Moncler ka vendosur sërish të synojë lart, duke u besuar dy legjendave të kinemasë botërore dhe mbi të gjitha, dy miqve të vjetër detyrën për të treguar në fushatën e re “Warmer Together” fuqinë e ngrohtësisë. Asaj njerëzore.

Moncler, i lindur mes majave alpine, ka zgjedhur dy figura ikonike të Hollywood, Al Pacino dhe Robert De Niro, për të mishëruar vlerat e markës në këtë projekt të ri. Fushata nuk flet vetëm për ngrohtësinë e xhupave të saj, por sidomos për ngrohtësinë emocionale, atë që buron nga lidhjet njerëzore.

Para se të jenë kolegë të respektuar, Pacino dhe De Niro janë miq të vjetër një detaj që i jep më shumë peshë këtij projekti, i cili thekson rëndësinë e kujdesit, afërsisë dhe mbështetjes reciproke.

Fotografuar në New York nga artisti i njohur Platon, fushata përfshin portrete të fuqishme bardh e zi dhe video të shkurtëra “pas skene”, ku dy aktorët ndajnë reflektime mbi miqësinë, respektin, besimin dhe marrëdhëniet.

“Ngrohtësia nuk vjen kurrë nga jashtë, është një ndjenjë që lind brenda nesh.”
— Robert De Niro
“Miqësia është gjëja më e madhe që mund të përjetosh. Miqtë janë ata me të cilët ndan jetën. Është diçka që lind natyrshëm, si ndarja e të njëjtit kuptim të jetës.”
— Al Pacino

Fushatën e shoqëron edhe një version i ri i klasikës “Lean on Me” nga Tobe Nwigwe, ambasador i Moncler, së bashku me bashkëshorten e tij Fat Nwigwe. Kënga është një himn i përjetshëm i miqësisë, solidaritetit dhe mbështetjes reciproke në momentet e vështira.

“Prej dekadash Moncler ka qenë sinonim i dimrit dhe i xhupave, por gjithmonë kam dashur që marka të përfaqësojë diçka më të thellë.
Për më shumë se 70 vjet, emocionet dhe ngrohtësia e të qenit bashkë kanë udhëhequr çdo zgjedhje tonën.
Warmer Together, përmes historisë së miqësisë mes Al Pacino dhe Robert De Niro, është një mesazh i fortë dashurie dhe afërsie — vlera që na bëjnë më të mirë.”
— Remo Ruffini, President & CEO i Moncler

Pacino dhe De Niro, si dy figura që e kanë jetuar jetën përmes artit dhe miqësisë, shndërrohen në simbol të ngrohtësisë që lidh zemrat, më shumë se të asaj që mban trupin ngrohtë.