Një studim i ri tregon se pritja nuk është gjithmonë kohë e humbur. Përkundrazi, ajo mund të përmirësojë ekuilibrin mendor, të rrisë durimin dhe madje të nxisë krijimtarinë. Kur mësojmë ta shohim pritjen si një pjesë të dobishme të procesit, jo vetëm që jetojmë më mirë, por forcojmë aftësinë për të menaxhuar emocionet dhe vendimet tona.

Jetojmë në një epokë ku çdo sekondë duket se ka rëndësi dhe ku shpejtësia është kthyer në një virtyt ndonjëherë të tepruar. Nga shpërndarjet e menjëhershme të porosive online, deri te përgjigjet e menjëhershme të motorëve të kërkimit apo chatbot-ëve me inteligjencë artificiale, jeta jonë e përditshme është ndërtuar për të minimizuar pritjen.

Megjithatë, sipas një artikulli të botuar në The Conversation nga Ayse Burcin Baskurt, pedagoge në Universitetin e East London, kjo qasje mund të jetë e gabuar. Sipas saj, pritja e vetëdijshme mund të kthehet në një burim të vlefshëm për shëndetin mendor dhe zhvillimin personal.

Ekspertja ka analizuar disa studime që tregojnë se akti i pritjes nëse shihet si pjesë e procesit dhe jo si pengesë forcon vetëkontrollin, pra aftësinë për të rregulluar emocionet dhe impulset. Kur jemi të detyruar të ndalemi (si kur bëjmë radhë apo presim në një zyrë), truri mëson të toleron frustrimin, të menaxhojë mërzinë dhe të projektohet në të ardhmen me më shumë qartësi. Me kalimin e kohës, kjo krijon një “muskuj mendor” të qëndrueshmërisë emocionale, që ndihmon jo vetëm në pritje, por edhe në sfida më të mëdha të jetës.

«Fokusi te ajo që mund të fitojmë nga pritja si më shumë qartësi, përgatitje apo vetëdije ndihmon në uljen e impulsivitetit dhe e bën më të lehtë të qëndrojmë të duruar», shpjegon Baskurt.

Në thelb, mënyra se si e interpretojmë kalimin e kohës ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien tonë. Nëse e shohim pritjen si boshllëk apo bezdi, do ta përjetojmë me ankth; por nëse e shohim si një fazë reflektimi ose inkubimi, ajo mund të bëhet madje e kënaqshme.

Shkencëtarët kanë vërejtur gjithashtu se momentet e pritjes aktivizojnë zonat e trurit të lidhura me krijimtarinë dhe planifikimin, pasi gjatë ndalesave mendja ka mundësi të endet lirshëm dhe të krijojë lidhje të reja. Në një botë të mbingarkuar me njoftime dhe shpërqendrime, ky hapësirë e qetë mendore mund të bëhet motor i ideve të reja.

Personat që arrijnë të menaxhojnë me qetësi kohët e pritjes tregojnë më pak stres dhe më shumë kontroll emocional. Në një farë mënyre, të dish të presësh është të dish të jetosh më mirë. Nuk është rastësi që shumë praktika meditimi dhe mindfulness bazohen pikërisht në pranimin e momentit të tanishëm, edhe kur duket i ngadaltë ose “i kotë”.

Sigurisht, jo çdo lloj pritjeje ka të njëjtin efekt. Pritja vullnetare, si ajo para një vendimi të rëndësishëm, është më e dobishme sesa pritja e detyruar, e shkaktuar nga vonesa apo pasiguri jashtë kontrollit tonë. Megjithatë, edhe në rastet e fundit, ndryshimi i këndvështrimit duke u fokusuar te përfitimet e mundshme të së ardhmes mund të ulë stresin dhe të rrisë ndjenjën e qëllimit.

Në praktikë, kjo do të thotë të përdorësh ato minuta apo orë që duken “të zbrazëta” si mundësi mikro-mirëqenieje:

për t’u fokusuar në frymëmarrje,
për të menduar qetë për diçka të rëndësishme,
për të shkruar një ide,
ose thjesht për të lejuar mendjen të pushojë.
«Nuk ka nevojë të mbushim çdo çast me stimuj», thotë Baskurt. «Ndonjëherë përfitimi vjen pikërisht nga ndalimi.»

Në fund të fundit, pritja nuk është e kundërta e veprimit, por një pjesë e tij thelbësore. Në një botë që na nxit të reagojmë menjëherë, rivlerësimi i kohës së pezulluar mund të na rikthejë ekuilibrin, qartësinë dhe madje edhe lumturinë.

Të mësosh të presësh paradoksalisht mund të jetë një nga aftësitë më moderne dhe më të dobishme që mund të zhvillojmë sot.