Dimri i kaluar solli një bum udhëtimesh në Europë, me miliona turistë që kërkuan diell, kulturë dhe relaks. Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e Bashkimit Europian, Spanja u rendit si vendi më i vizituar në kontinent gjatë dimrit, duke tërhequr mbi 9 milionë netë qëndrimi në rajonet e saj jugore.

Në krye të listës së destinacioneve më të frekuentuara qëndroi Andaluzia, një perlë mesdhetare që vazhdon të tërheqë turistë me klimën e butë, gastronominë e pasur dhe trashëgiminë historike. Nga qytetet si Sevilja, Granada dhe Málaga, turistët gjetën strehë nga i ftohti verior dhe mundësi për të shijuar diellin gjatë gjithë vitit.

Sipas raportit të Joint Research Centre (JRC) të BE-së, Spanja regjistroi mbi 5 milionë netë qëndrimi vetëm në rajonin e Andaluzisë gjatë muajve dhjetor–shkurt, duke kaluar destinacione tradicionale dimërore si Alpet Franceze apo Zvicra.

Në vend të dytë qëndroi rajoni Rhône-Alps në Francë, me rreth 5,8 milionë netë qëndrimi, kryesisht falë turizmit malor dhe sporteve të borës në zonat si Chamonix dhe Les Trois Vallées. Por, ndryshe nga vite më parë, turistët europianë këtë dimër preferuan më shumë diellin sesa dëborën.