Pas më shumë se dy dekadash larg syve të publikut sa i përket jetës sentimentale, duket se Eminem është gati të hapë një kapitull të ri. Reperi fitues i çmimeve Grammy, i njohur për privatësinë e tij ekstreme, raportohet se po takohet me stilisten e tij prej vitesh, shqiptaren Katrina Malota, një emër i njohur në botën e modës dhe muzikës.

Sipas burimeve të afërta me artistin, Eminem dhe Katrina janë parë shpesh bashkë kohët e fundit, duke kaluar më shumë kohë përtej marrëdhënies profesionale. Ata njihen prej vitesh, që prej kohës kur Malota punonte në projektet muzikore dhe xhirimet e videove të reperit.

Katrina, e cila ka jetuar në Detroit, njësoj si Eminem, ka një karrierë të pasur si stiliste dhe make-up artiste. Ajo ka punuar me disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë, përfshirë Snoop Dogg, Robin Thicke dhe 50 Cent, ndërsa aktualisht është pjesë e një saloni prestigjioz në Birmingham, Michigan.

Kjo është hera e parë që emri i Eminem lidhet me dikë pas ndarjes së tij nga ish-bashkëshortja Kimberly Scott, me të cilën u divorcua përfundimisht në vitin 2006. Që atëherë, reperi ka qenë tepër i rezervuar për jetën e tij personale, duke deklaruar në një intervistë për Rolling Stone se daljet publike i shmang për shkak të famës së madhe që e shoqëron:

“Nuk është se nuk dua të dal me dikë, por thjesht është e vështirë të njoh njerëz të rinj në pozicionin ku jam. Nuk mund të shkoj thjesht për darkë e film është çmenduri,” – kishte rrëfyer ai dikur.

Megjithatë, duket se Katrina ka arritur ta thyejë këtë mur. Një person i afërt me çiftin ka treguar se ata ndajnë jo vetëm një lidhje profesionale, por edhe “një mirëkuptim të thellë dhe natyral që ka lindur me kalimin e kohës”.

Kjo periudhë e re për Eminem përkon me një tjetër lajm të bukur në jetën e tij familjare. Vajza e tij Alaina Scott ka njoftuar së fundmi se është në pritje të fëmijës së parë me partnerin e saj, Matt Moeller. Në një postim emocionues në rrjete sociale, ajo shkroi:

“Për muaj me radhë kam mbajtur brenda meje një zemër që rreh, një jetë të vogël që tashmë ka ndryshuar timen në çdo mënyrë të mundshme. Faleminderit Zot për këtë bekim.”

Ndërsa fansat e reperit spekulojnë për lidhjen e re, një gjë është e sigurt: Eminem duket se po hyn në një fazë më të qetë dhe më të ndritur të jetës së tij mes dashurisë, familjes dhe krijimtarisë artistike që e ka mbajtur në majat e muzikës për më shumë se dy dekada.