Modelja e njohur Sofia Richie Grainge ka ndarë lajmin e bukur se është sërish shtatzënë. Ajo konfirmoi pritjen e ëmbël përmes një postimi në Instagram, ku zbuloi se po pret fëmijën e dytë me bashkëshortin e saj, producentin muzikor Elliot Grainge.

Në një selfie para pasqyrës, 27-vjeçarja shfaqet me barkun e rrumbullakosur, duke shkruar me humor:

“Në rrugën për t’i sjellë këta ‘bebushë’ në jetë ?? + @srgatelier.”

Çifti është tashmë prind i një vajze, Eloise Samantha Grainge, e cila erdhi në jetë në maj të vitit 2024. Në atë kohë, Sofia kishte ndarë në rrjete sociale një foto të këmbëve të vogla të foshnjës me mbishkrimin:

“Eloise Samantha Grainge 5•20•24 dita më e bukur e jetës sime.”

Në një intervistë për Vogue në janar 2024, vajza e këngëtarit legjendar Lionel Richie tregoi se gjatë shtatzënisë së parë kishte zgjedhur ta mbante lajmin për vete për të ruajtur qetësinë mendore dhe hapësirën familjare.

Sofia dhe Elliot kurorëzuan dashurinë e tyre në një dasmë përrallore në Francë, në prill të vitit 2023, ku të ftuar ishin edhe yje si Paris Hilton dhe Cameron Diaz.