Në zemër të distriktit Ginza në Tokio, ngrihet një prej ndërtesave më ikonike të shekullit XXI: dyqani dhe selia e Hermès, një vepër që shndrit si një fener modern prej xhami.

Projektuar nga Renzo Piano, arkitekti italian i njohur për delikatesën dhe dritën në veprat e tij, në bashkëpunim me Takenaka Corporation, ndërtesa u porosit në vitin 1998 dhe u përfundua në vitin 2001.

E ndërtuar mbi një truall të ngushtë përgjatë rrugës Harumi-dori, godina 15-katëshe bashkon në një hapësirë unike butikun luksoz, zyrat qendrore, galeritë ekspozuese, madje edhe një hyrje në stacionin e metrosë një shembull i përkryer i funksionalitetit që takon estetikën.

Fasada është vetë zemra e projektit: një sipërfaqe vezulluese prej 13,000 blloqesh xhami të krijuara posaçërisht në Firence. Këto blloqe, që ndryshojnë pamjen sipas dritës dhe kohës së ditës, i japin ndërtesës një prani të gjallë dhe poetike.

Renzo Piano e përshkruan ndërtesën si një “magic lantern” një fener magjik që ditën reflekton argjendin e qytetit, ndërsa natën ndriçon me një ngrohtësi të brendshme që tërheq sytë e çdo kalimtari.