Një grabitje e paprecedentë ka ndodhur në zemër të Parisit. Muzeu i famshëm i Luvrit është mbyllur këtë të shtunë, më 19 tetor, pas një grabitjeje që ka tronditur autoritetet franceze dhe publikun ndërkombëtar. Lajmi është konfirmuar nga Ministrja e Kulturës së Francës, Rachida Dati, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Sipas të dhënave të para, të publikuara nga gazeta Le Parisien, autorët, të maskuar dhe të pajisur mirë, kanë hyrë në ndërtesë nga ana e lumit Sena, ku aktualisht po zhvillohen punime restaurimi. Duke shfrytëzuar mungesën e vëzhgimit në atë pjesë, ata kanë thyer disa dritare dhe janë futur brenda ndërtesës.

Dy prej grabitësve u drejtuan menjëherë drejt Galerisë së Apollonit, një nga hapësirat më të famshme të Luvrit, ku ruhen bizhuteritë historike të Kurorës Franceze. Një i tretë qëndroi jashtë për të siguruar hyrje-daljen.

Sipas raportimeve, grabitësit përdorën monopatina elektrike për të mbërritur në muze dhe për t’u larguar me shpejtësi. Ata kanë përdorur gjithashtu një ashensor mallrash për të arritur në dhomën e synuar dhe mjete elektrike prerëse, sipas një burimi policor të cituar nga gazeta Le Monde.

Nga koleksioni u morën nëntë objekte bizhuterie me vlerë të paçmuar historike, pjesë e trashëgimisë së Napoleonit dhe Perandoreshës Joséphine. Mes tyre raportohet se janë një gjerdan, një brosh dhe një diademë mbretërore, të gjitha pjesë të njohura të Koleksionit të Kurorës Franceze.