Përkthyer nga Vogue

Ndoshta nuk je në dijeni, por pozicioni yt i gjumit mund të zbulojë emocionet e fshehura dhe ankthin që mban brenda. Të paktën, kështu thotë një pjesë e fundit e kërkimeve shkencore mbi të ashtuquajturat “pozicione stresi të lartë” ose thënë ndryshe, mënyrat e të fjeturit që pasqyrojnë një gjendje tensioni të brendshëm. Disa studiues madje e quajnë mënyrën se si flemë një “pasqyrë të heshtur të stuhive tona të brendshme”.

Si ndikon stresi në mënyrën si flemë?
Çdo natë, trupi ynë flet në një gjuhë që shpesh e injorojmë. Stresi është dirigjenti i padukshëm që ndryshon ritmin e gjumit tonë, pozicionet dhe mënyrën si trupi kërkon pushim. Nën tension, trupi aktivizon “boshtin e stresit” (hipotalamus–hipofizë–mbiveshkore), duke çliruar kortizol dhe adrenalinë hormonet që mbajnë muskujt të tendosur dhe vonojnë gjumin.

Rezultati?
Vështirësi për të fjetur, net të çrregullta dhe një kërkim i pandërprerë për një pozicion më të rehatshëm që të qetësojë energjinë nervore të tepërt.
Ndërkohë, mendja nuk pushon: mendimet rrotullohen, skenaret përsëriten, duke krijuar terren të përsosur për pagjumësi.

Një studim i marsit 2024 thekson se:

“Stresi psikologjik parashikon drejtpërdrejt cilësi më të dobët të gjumit, veçanërisht për shkak të ruminimit dhe ankthit social... dhe fazat e thella të gjumit, ato që rigjenerojnë trupin dhe shpirtin, shpesh shkurtohen.”

Nën stres, trupi mbyllet mbi veten: gjunjët përkulen, krahët shtrëngohen, nofulla ngurtësohet. Këto “pozicione stresi të lartë” tregojnë një parehati të vërtetë të brendshme.
Në mëngjes, ky tension i natës shfaqet si dhimbje qafe, lodhje e përgjithshme apo një ndjenjë e pashpjegueshme rëndese.
Kështu krijohet rrethi vicioz: stresi të bën të flesh në mënyra të tensionuara, gjë që shton më shumë stres dhe e ul cilësinë e gjumit.

Pozicionet më të zakonshme të stresit në gjumë
-Pozicioni fetal
Të flesh me gjunjët të mbledhur drejt gjoksit dhe shpinën e rrumbullakosur për të “mbrojtur” organet jetike tregon nevojë për siguri dhe mbrojtje emocionale.

-Krahët e kryqëzuar në gjoks (si mumie)
Një pozicion mbrojtës, shpesh i pavetëdijshëm, i adoptuar nga mendje që kërkojnë kontroll edhe gjatë gjumit.

-Shtrirë përmbys
Të flesh me ballin në jastëk dhe qafën të zgjatur kufizon frymëmarrjen. Tregon dëshirë për të çliruar tensionin, por pengon relaksimin e plotë të trupit.

-Shpinë e drejtë, trupi i ngurtë
Pozicion tipik i perfeksionistëve apo i njerëzve nën stres të lartë, që nuk arrijnë të “lëshojnë” kontrollin as në gjumë.

-Pozicioni i kapjes (clinging)
Të flesh duke përqafuar jastëkun ose partnerin tregon nevojë për kontakt dhe siguri një mënyrë instinktive për të qetësuar veten.

-Grushtat e shtrënguar
Një shenjë se trupi është në gatishmëri, gati për t’u mbrojtur edhe gjatë gjumit. Zakonisht tregon tension emocional dhe nevojë për kontroll në situata stresuese.

Si të lirosh trupin nga stresi për një gjumë të qetë
Mënyra më e mirë për të çliruar trupin nga stresi është të krijosh një ritual të plotë para gjumit:

-Fik telefonin.
-Merr frymë thellë.
-Relakso nofullën dhe shpatullat.
-Zgjidh një pozicion të hapur krahë dhe këmbë të lirshme, shtyllë e drejtë për të lejuar energjinë të qarkullojë natyrshëm.
-Praktikat si yoga, meditimi, një banjë e ngrohtë apo aktivitetet e qeta para gjumit ndihmojnë të qetësohet sistemi nervor dhe të rilidhet trupi me mendjen.