Pas deklaratës së fundit të Jennifer Lopez në një intervistë me Howard Stern ku këngëtarja tha se “nuk ishte ndjerë kurrë vërtet e dashuruar nga asnjë prej ish-ve të saj” ish-bashkëshorti i parë i saj, Ojani Noa, ka reaguar me tone të ashpra në rrjete sociale.
Në një postim në Instagram, Noa, i cili ishte martuar me Lopez nga viti 1997 deri më 1998, shkruan:
“Mjaft më me rolin e viktimës. Problemi nuk ishim ne, nuk isha unë. Problemi je ti.”
Sipas tij, aktorja dhe këngëtarja zgjodhi famën dhe pasurinë mbi dashurinë, duke prishur martesën për shkak të “gënjeshtrave dhe tradhtive”.
“Tregohu e sinqertë për një herë. Thuaju njerëzve të vërtetën. Duhet të ndihesh e turpëruar për veten,” – shtoi Noa.
Ish-trajneri personal, tashmë 51 vjeç, tha se kishte lënë gjithçka për Lopez punën, familjen dhe shtetin ku jetonte për ta mbështetur në fillimet e saj në Hollywood.
“Unë isha i dashur, i ndershëm, besnik. Kurrë nuk të tradhtova, kurrë nuk të gënjeva. Unë isha shumë i mirë për ty,” – shkroi ai.
Noa pretendon se kriza në martesën e tyre nisi kur Lopez u përfshi profesionalisht me reperin Sean “Diddy” Combs, producent në albumin e saj të parë On The 6.
“Kur Sony i dha milionat e para, aty filluan mashtrimet, gënjeshtrat, ndarja,” – deklaroi ai në një intervistë për “Despierta América”.
Ndërkohë, në intervistën e saj te Howard Stern, Lopez tha se kishte kuptuar diçka thelbësore për marrëdhëniet:
“E mësova se nuk është se unë nuk jam e dashur, por ata nuk janë të aftë të duan. Ata më dhanë gjithçka që kishin – unazat, shtëpitë, martesat por dashuri të vërtetë, jo.”
J.Lo është martuar katër herë: me Ojani Noa (1997–1998), me kërcimtarin Cris Judd (2001–2003), me këngëtarin Marc Anthony (2004–2014), me të cilin ka binjakët Emme dhe Max, dhe më pas me aktorin Ben Affleck, lidhje që përfundoi në vitin 2025.
Deri tani, Jennifer Lopez nuk ka reaguar ndaj deklaratave të ish-bashkëshortit, të cilat kanë ndezur rrjetet sociale dhe kanë rihapur një nga kapitujt më të diskutueshëm të jetës së saj sentimentale.