Të shpëtosh varfërisë në Shqipëri, duhet të kesh të paktën 27 mijë lekë të ardhura në muaj.

Kjo, sipas INSTAT, i cili ka publikuar rezultatet e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, ku përcakton se kufiri i varfërisë për një person në vendin tonë është rritur nga 262 mijë lekë në vit në 2023, në 324 mijë lekë në vitin 2024.

Gjithsesi, rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri zbriti në vitin e shkuar në 19.2 për qind, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me 2023.

Kjo i atribuohet në mënyrë të veçantë rritjes me 23 për qind të të ardhurave mesatare mujore për frymë, të cilat arritën në mbi 51 mijë lekë.

“20% e të pasurve sot përfitojnë 5 herë më shumë të ardhura se 20% e më të varfërve. Për sqarim, nëse ne do të heqim nga struktura aktuale 19% e më të varfërit, kjo kalon automatikisht në 40%. 40% sot e Shqipërisë është e varfër”, tha sociologia Iris Dhamo.

Pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave ka rënë lehtë. Edhe privimi material dhe social ka zbritur në 32.8 për qind, ndërsa rreth 40 për qind e popullsisë vijon të jetë e rrezikuar nga përjashtimi social.

“Një pjesë e konsiderueshme, atyre që nuk konsiderohen të varfër, i përkasin dy kategorive më në nevojë, ndihmës ekonomike dhe pensioneve. Duhej të kishte paketa mbështetëse dinjitoze të këtyre individëve, ndërkohë janë paketa mbrojtëse që këta individë të mos bien në nivelin e varfërisë. Ky është alarmi më i madh”, sqaron sociologia.

Sipas INSTAT, Shqipëria vijon të përmirësojë treguesit socialë, por sfida mbetet balancimi mes rritjes ekonomike dhe uljes reale të pabarazisë.

Tv Klan