Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, aktorja Nicola Peltz, thuhet se nuk kanë “asnjë interes” të rregullojnë marrëdhëniet me familjen Beckham për momentin.
Sipas një burimi për Us Weekly, Brooklyn është i përqendruar në një jetë të qetë, pa drama, së bashku me bashkëshorten e tij.
“Ata kanë ndërtuar botën e tyre dhe janë shumë të lumtur në të,” – tha burimi. “Duan që gjërat të qetësohen vetë, në vend që të përpiqen të rregullojnë diçka që ende ndihet e tensionuar.”
Burimi shtoi se “përçarja e madhe” me familjen Beckham vazhdon, dhe Brooklyn nuk është në kontakt as me prindërit, David dhe Victoria Beckham, dhe as me vëllezërit e tij, Romeo e Cruz.
Nuk dihet nëse ai ka mbajtur komunikim me motrën e vogël, Harper Seven.
“Marrëdhëniet janë ende të tendosura,” – shtoi i njëjti burim.
Thashethemet për përçarje mes Beckham-ëve dhe Peltz-it nisën gjatë verës, kur çifti mungoi në festën e 50-vjetorit të David Beckham, në maj.
Në atë kohë, u raportua se Brooklyn kishte një debat me vëllain e tij Romeo për shkak të ish-të dashurës së këtij të fundit, Kim Turnbull, me të cilën thuhej se Brooklyn kishte pasur një histori të shkurtër para se të njihte Nicolën në vitin 2019.
Megjithatë, Turnbull e mohoi kategorikisht këtë në rrjetet sociale:
“Ne me Brooklyin nuk kemi qenë kurrë të lidhur në asnjë mënyrë romantike. Asgjë më shumë se një shoqëri e shkollës në moshën 16-vjeçare,” – shkroi ajo.
Raportet për tensione mes Nicola Peltz dhe Victoria Beckham datojnë që nga dasma e çiftit në vitin 2022. Thuhej se Victoria kishte prishur momentin e “vallëzimit të parë”, gjë që e kishte bërë Nicolën të dilte nga salla me lot.
Një burim pranë Victorias tha më pas për Page Six se ish-anëtarja e Spice Girls ishte “e habitur” nga këto akuza dhe nuk e kuptonte “si mund ta kishte lënduar” nusen e djalit.
Tensionet u thelluan edhe më tej kur Victoria dhe David nuk morën pjesë në ceremoninë e rinovimit të betimeve të çiftit në gusht.
Në shtator, Brooklyn foli për Daily Mail, duke thënë se pavarësisht komenteve negative, ai ka “një bashkëshorte që e mbështet”.
“Unë dhe ajo bëjmë gjërat tona, qëndrojmë me kokën ulur dhe punojmë. Dhe jemi të lumtur,” – tha ai.
Megjithë përçarjen, Victoria Beckham së fundmi e përmendi publikisht djalin e saj të madh gjatë premierës së dokumentarit të saj në Netflix, Victoria Beckham, ku çifti Brooklyn dhe Nicola shfaqen shkurt në një fragment të dokumentarit.