Ka kaluar një vit nga ajo ditë tragjike e 16 tetorit të vitit të kaluar, kur këngëtari Liam Payne, i njohur më së shumti si pjesë e grupit legjendar One Direction, humbi jetën pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires. Një ngjarje që tronditi botën e muzikës dhe miliona fansa në mbarë globin. Sot, dymbëdhjetë muaj më vonë, familjarë, miq e kolegë e kujtojnë me dashuri dhe mall dhe shumë prej admiruesve të grupit ëndërrojnë një ribashkim të “pesëshes” ikonike për ta nderuar kujtimin e tij.
Por Louis Tomlinson, një tjetër anëtar i One Direction, i ka frenuar këto shpresa gjatë një interviste në podcastin The Diary of a CEO.
“Nuk mund ta imagjinoj dot një ribashkim tani,” – tha ai. – “Nuk jam i sigurt nëse do të ishte gjëja e duhur për Liam. Por kurrë mos thuaj kurrë. Ndoshta pas 25 vitesh, në një mënyrë si ajo e Oasis, mund të ndodhë. Ndoshta do të na ftojnë të rikthehemi për disa koncerte… kush e di?”
Ai shtoi me një buzëqeshje të hidhur:
“Ironikisht, askush më shumë se Liam nuk do të kishte dashur një ribashkim të One Direction.”
Grupi, që u shpërbë më 2016 pas pesë albumeve në studio dhe katër turneve botërore, kishte arritur majat e suksesit, por edhe tensionet e brendshme nuk mungonin.
“Ka momente kur duhet të jesh egoist,” – rrëfeu Tomlinson. – “Në një bandë ekziston një lloj vëllazërie, një ndjenjë bashkësie. Por pastaj, papritur, dikush vendos të mendojë më vete, dhe kjo është e drejtë. Vetëm se ajo ditë, kur vendosëm të ndaheshim, ishte veçanërisht e ftohtë.”
Vdekja e Liam-it vitin e kaluar i bashkoi përsëri djemtë qoftë edhe për një moment të shkurtër për një lamtumirë të fundit ndaj mikut të tyre.
“Miqtë e vërtetë janë ata që, kur i takon pas shumë kohësh, është sikur koha s’ka kaluar fare,” – tha Louis. – “Është fantastike të shohësh që secili prej nesh po ecën mirë në rrugën e vet.”
Megjithëse ribashkimi në skenë duket ende larg, Tomlinson ka zbuluar se ai dhe Zayn Malik do të ribashkohen për një docuseri të re në Netflix tre episode të veçanta që do të rikthejnë emocionet e dikurshme në një udhëtim “on the road”, për të reflektuar mbi kujtimet, për të shëruar plagët e vjetra dhe ndoshta… për të lënë hapur derën për një të ardhme të mundshme.
“Kurrë mos thuaj kurrë.”