Një libër që duhet lexuar nga çdo prind: një vëzhgim mbi krizën e shëndetit mendor të të rinjve në epokën e smartphone-ave, si dhe një plan për një fëmijëri më të shëndetshme, të bazuar te loja e lirë.

Brezi Z, siç quhet brezi i lindur pas vitit 1995, është i pari që e ka kaluar pubertetin me smartphone në dorë, një portë drejt një realiteti virtual emocionues, por edhe të rrezikshëm. Po ashtu është një brez që ka përjetuar një rënie dramatike në shëndetin mendor.

Pas vitit 2010, depresioni, ankthi, vetëlëndimi dhe vetëvrasjet u rritën me ritme alarmante, njëkohësisht, në shumë vende të botës. Adoleshentët e këtij brezi kalojnë orë të tëra përhumbur në postime apo video të sugjeruara nga algoritme të krijuara për t’i mbajtur sa më gjatë në rrjet, ndërkohë që kalojnë shumë më pak kohë duke luajtur, duke biseduar ballë për ballë apo duke përjetuar botën reale.

Kalimi i shpejtë nga fëmijëria e lirë dhe e bazuar te loja në një fëmijëri të mbërthyer pas telefonit ka shkaktuar probleme të rënda në zhvillimin social dhe neurologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve. Ankthi, mungesa e gjumit, shpërqendrimi, varësia, vetmia dhe frika nga krahasimi social janë vetëm disa prej simptomave.

Ndërsa vajzat preken më shumë nga presioni dhe krahasimi online, djemtë tërhiqen drejt botës virtuale, duke u shkëputur nga realiteti. Kalimi nga fëmijëria e lirë dhe e bazuar te loja, në një fëmijëri të mbërthyer pas telefonit, ka shkaktuar probleme të rënda në zhvillimin social dhe neurologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Duke iu referuar kërkimeve të fundit, Jonathan Haidt na vë përballë krizës së shëndetit mendor të brezit Z dhe propozon katër rregulla të thjeshta e konkrete për prindërit, mësuesit, kompanitë teknologjike dhe qeveritë, me qëllim rikthimin e një fëmijërie më të shëndetshme dhe humane.

Ky libër i fuqishëm është një thirrje për veprim për këdo që ka në dorë të ardhmen e fëmijëve: prindër, arsimtarë, politikëbërës. E ardhmja e brezit të ri varet nga zgjedhjet që bëjmë sot.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Botime Pegi (@botimepegi)

Fragmente nga libri

1.Nga viti 2010-2020, numri i vajzave që janë vetëlënduar pothuajse është trefishuar. Norma për vajzat më të rritura (15-19 vjeç) është dyfishuar, ndërsa shkalla për gratë mbi 24-vjeçare në fakt është ulur gjatë asaj kohe. Pra, çfarëdo që të ketë ndodhur në fillim të viteve 2010, më shumë se cilindo grup tjetër, ka prekur vajzat paraadoleshente dhe adoleshente. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme.


2.Të gjithë fëmijët janë të antibrishtë nga natyra. Ashtu siç ka nevojë sistemi imunitar të ekspozohet ndaj mikrobeve apo pema ndaj erës, edhe fëmijët kanë nevojë të përballen me pengesa, dështime, tronditje dhe rrëzime, për t’u bërë më të fortë dhe për të rritur vetëbesimin. Mbrojtja e tepërt e pengon këtë proces zhvillimi, çka shton gjasat që fëmijët të rriten më të brishtë dhe më të pasigurt.


3.Adhurimi i tepruar për “sigurinë” mbi gjithçka tjetër quhet kult i sigurisë. Ky lloj qëndrimi është i rrezikshëm, sepse ua bën më të vështirë fëmijëve që të mësojnë të kujdesen për veten dhe të përballen me rreziqe, konflikte e zhgënjime.


4.Dëmi i parë themelor është izolimi social. (...) Koha që kalonin me shokët u zvogëlua edhe më shumë për shkak të kufizimeve prej pandemisë COVID, por brezi Z tashmë ishte në distancë sociale përpara se të vendoseshin këto kufizime.
Dëmi i dytë themelor është mungesa e gjumit. Sapo kaluan nga telefonat e thjeshtë te smartphone-at, gjumi i adoleshentëve në mbarë botën e zhvilluar pësoi rënie si në sasi, ashtu edhe në cilësi.