Gjykata Penale e Tiranës ka shpallur aktoren Egla Ceno fajtore për veprën penale të “Shpifjes”, duke e dënuar me një gjobë prej 1 milion lekësh të vjetra. Padia ishte ngritur nga moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra, pas deklaratave publike të Eglës në një podcast, ku ajo aludonte se ishte ngacmuar seksualisht nga moderatori.

Ceno ish-fituese e “Big Brother VIP” ka thënë se “ishte ngacmuar seksualisht nga një moderator i një emisioni televiziv gjatë një interviste pune”. Kodra reagoi publikisht duke deklaruar se ndihej i prekur nga akuzat dhe njoftoi se do t’i drejtohej gjykatës për mbrojtjen e reputacionit të tij.

Moderatori paraqiti një padi në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, duke kërkuar shpalljen fajtore të aktores për shpifje.

Gjatë procesit gjyqësor, Egla Ceno paraqiti disa versione mbrojtjeje. Fillimisht, ajo deklaroi se kishte frikë të paraqitej në gjykatë. Më pas, në një tjetër dëshmi, pohoi se nuk e kishte përmendur Saimir Kodrën me emër, duke u justifikuar se kishte përdorur vetëm mbiemrin “Kodra”. Në një seancë të mëvonshme, ajo theksoi se deklaratat e saj kishin qenë simbolike, në mbështetje të grave të abuzuara seksualisht, dhe jo personale ndaj moderatorit.

Pas shqyrtimit të provave, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e palës paditëse dhe ta shpallë Eglën fajtore për shpifje. Si dënim, ajo do të paguajë 1 milion lekë gjobë në favor të Saimir Kodrës.

Vendimi është dhënë në mesditën e sotme dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.