Gjendja shëndetësore e Fatos Nanos mbetet e qëndrueshme.
Burime mjekësore konfirmojnë për Top Channel se ish-kryeministri dhe ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, vijon të ketë parametra të qëndrueshëm shëndetësorë.
Sipas stafit mjekësor që po kujdeset për të, gjendja neurologjike e Nanos mbetet e pandryshuar krahasuar me ditët e mëparshme.
Kujtojmë se një ditë më parë, spitali privat ku ai ndodhet i shtruar bëri me dije se Nano ishte hospitalizuar prej disa ditësh, pas një arresti kardiorespirator. Në njoftimin zyrtar të spitalit thuhej se:
“Pacienti ka disa ditë i hospitalizuar, në gjendje të rëndë pas një arresti kardiorespirator. Aktualisht pacienti konsiderohet në gjendje shumë të rëndë, me prognozë të rezervuar.”
Ndërkohë, familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt të ish-kryeministrit kanë kërkuar qetësi dhe mirëkuptim në këto momente, duke zgjedhur të mos komentojnë më tej për mediat.