Reperi i njohur shqiptar, Don Xhoni, ka ndezur rrjetet me një paralajmërim për albumin e tij të parë. Përmes një postimi në Instagram Story, artisti nuk la vend për ekuivoke: “Albumi im i parë do të jetë magjik, si vetë unë. Ju premtoj që do t’ua dh*noj reperat tuaj të preferuar. Klm, Boki 1.”
Një premtim? Një kërcënim artistik? Apo thjesht një tjetër episod nga teatri i egos që mban gjallë gjysmën e rap-it modern?
Ndoshta pak nga të gjitha.
Don Xhoni di mirë se si të luajë me perceptimin publik: të tërheqë, të provokojë, të bëjë që të flasësh për të. Edhe kur nuk dëgjon dot asnjë notë të muzikës së tij.
Ky është arti i epokës sonë: të shesësh personalitetin, përpara se të shesësh artin.
Albumi i parë, që pritet të dalë së shpejti, mbetet ende një mister pa titull, pa datë, por me shumë zhurmë përreth. Ajo që dihet është se do të jetë një përzierje e trap-it, energjisë ballkanike dhe introspeksionit që fshihet pas maskës së një “bad boy” që s’ka frikë të tregojë as egon, as plagët.