
Fero ka folur sërish publikisht për raportin e tij me ish-bashkëshorten, modelen Arbenita Ismajli, dhe vajzën e tyre. I ftuar në “Mirëmbrëma Yje”, ai u ndal te ndarja e bujshme, akuzat për dhunë dhe vështirësitë në marrëdhënien me vajzën e vogël.
“Nuk kam folur keq për të, ajo është nëna e vajzës time. Njerëzit e mi e dinë këtë,” – tha ai. “Por kur ke kaq shumë kohë që nuk e ke takuar vajzën, nga emocionet ndodh të shpërthesh. Kam thënë ndonjë fjalë të pahijshme, për të cilat kërkoj falje. Qëllimi im është vetëm ta shoh vajzën. Ka kaluar një vit që nga hera e fundit më 5 tetor.”
Sipas tij, ndonëse ekziston një vendim gjyqësor që i njeh të drejtën ta takojë vajzën katër ditë në muaj, ky vendim nuk është zbatuar. “Kam tentuar shumë herë ta takoj, por nuk kam mundur. Kam ndjekur rrugët ligjore dhe është lëshuar edhe urdhërarrest për të në Kosovë. Po flitet për fletarrest ndërkombëtar, pasi vajza nuk ka ardhur në Prishtinë që prej vitit të kaluar,” – tha Fero, duke shtuar se është ndier i mashtruar në procesin e marrëveshjes ligjore.
Artisti mohoi akuzat për dhunë ndaj ish-bashkëshortes: “Nuk e kam dhunuar. Nuk ekziston asnjë raport mjekësor që të provojë të kundërtën. Ne u përpoqëm për shumë kohë, por thjesht nuk ishim për njëri-tjetrin.”
Ndërsa foli për ndjenjat e tij, Fero theksoi se nuk ka më dashuri për Arbenitën, por ruan respekt për të si nënë e vajzës së tij.
“Nuk kam më ndjenja, por kam pasur shumë. Kam respekt sepse është nëna e vajzës time. Në një periudhë të jetës sime ajo ka qenë gjithçka për mua,” – u shpreh reperi.
Në fund, ai bëri një thirrje publike për Arbenitën që të lërë pas konfliktet dhe të mendojë për mirëqenien e vajzës:
“E ftoj publikisht të lërë inatet. Fëmija ka nevojë për të dy prindërit. Nuk e do njeri vajzën më shumë se babai i saj. Të lutem, më mundëso ta shoh çikën.”
