Fero ka zbuluar se aktualisht nuk është në një lidhje dashurie, duke theksuar se vëmendjen e tij e ka përqendruar plotësisht në karrierën muzikore.

Gjatë një interviste për emisionin “Mirëmbrëma Yje” me Arbana Osmanin, artisti u shpreh se lidhjet shpesh mund të ndikojnë negativisht në përkushtimin ndaj muzikës.

“Me të tregu drejt, unë nuk t’u u marrë me lidhje. Jam i fokusuar në karrierën time, edhe zakonisht lidhjet, prej përvojës time jetësore, të qesin… sepse të duhet përkushtim. Aq është dinamike muzika dhe biznesi i muzikës, saqë nëse e ke një partner, të dekoncentron nga sukseset dhe aktivitetet e karrierës. Kështu që unë jam kështu rehat, më mirë merrem me muzikë,” – u shpreh reperi.

Deklarata e tij vjen pas raportimeve të shumta për një martesë të dytë, të cilën Fero e kishte konfirmuar vetë disa muaj më parë përmes rrjeteve sociale.

Në intervistë, ai foli gjithashtu për situatën e ndërlikuar me ish-bashkëshorten Arbenita Ismajli, si dhe për çështjen e kujdestarisë së vajzës së tyre, temë që ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes mediatike.