Reperi italian Fedez kthehet në qendër të vëmendjes me librin e tij autobiografik “Uji është më i thellë nga sa duket sipër”, një rrëfim mbi sukseset, dështimet dhe plagët personale që kanë shënjuar jetën e tij nga sëmundja e rëndë, te ndarja me Chiara Ferragnin, e deri te skandalet publike që tronditën Italinë.

Në libër, Fedez (35 vjeç) nuk shmang asgjë. Ai pranon se periudha e ashtuquajtur “Pandoro Gate” që lidhet me fushatën e bamirësisë së ish-bashkëshortes së tij e ka goditur rëndë. “U zgjova një mëngjes dhe Chiara qante. Më tha: ‘Një milion gjobë’. Mbeta pa fjalë. Ajo fliste për 300 mijë, por në realitet ishte trefishi. I thashë: ‘Ti e kupton se çfarë ke bërë?’”, shkruan reperi. Ai shton se kishte refuzuar t’i mbante ato para në shtëpi: “I thashë: gjej mënyrën, por unë s’i dua këto para”.

Ndarja përfundimtare ndodhi në mars të vitit 2024. “I kërkova që t’u flisnim fillimisht fëmijëve, të mos e merrnin vesh nga shkolla. Por ditën tjetër lajmi doli kudo. Dikush nga njerëzit e saj e kishte nxjerrë.”
Pas kësaj, ai vendosi t’i ndalonte publikimet e fotove të fëmijëve: “Sepse kuptova se dikush pranë saj ishte gati të sakrifikonte mirëqenien e fëmijëve për të dalë nga kriza”.

“Puthja me Rosa Chemical? Ishte e planifikuar”
Fedez i rikthehet edhe momentit të shumëpërfolur të Sanremo 2023, kur u puth në skenë me artistin Rosa Chemical. “Tani mund ta them: ishte e gjitha e dakorduar. I kisha dërguar madje foton e vendit tim në publik,” pranon ai. Por pas kamerave, reperi përshkruan një natë të errët: “Elektra, asistentja ime, duhej të flinte me të gjithë thikat në dhomë, sepse unë thosha se doja t’i prisja venat. Ishte kulmi i burnout-it tim.”

Kur politika tregoi fytyrën njerëzore
Një nga rrëfimet më befasuese është ai për Matteo Salvini. “Kur u sëmura nga kanceri, ishte ai që më shkruante çdo javë për të pyetur si isha. E ndjeva empatinë e tij, pavarësisht se kemi pasur përplasje të forta. Për një muaj më shkruante çdo javë.”

Ndërsa për politikanët e tjerë thotë: “Ata që më kishin më afër, si Di Maio apo Conte, nuk u dukën fare. Të kërkojnë vetëm kur kanë nevojë për ty.”

Depresioni, ilaçet dhe shpëtimi
Në libër, Fedez flet hapur për betejën me shëndetin mendor: “Psikofarmakët ishin bërë si lëkura ime, si gjuha ime, si mendimi im.” Ai pranon se ka kaluar në prag të vetëvrasjes, por është shpëtuar nga ndërhyrja e miqve dhe mjekëve.

Rreth aktivizmit të Ferragnit
Reperi e sheh me sy kritik aktivizmin e ish-bashkëshortes: “Chiara ndiqte automatikisht çdo kauzë progresiste që qarkullonte në rrjete. Ndoshta për besim, ndoshta për pozicionim publik. Por kur e forcon aq shumë figurën e ‘gruas perfekte’, krijon efektin e kundërt refuzimin e njerëzve.”

Nga rruga te fama
Në kapitujt e fundit, Fedez kthehet pas te rinia e tij në Milano: “Kam frekuentuar shoqëri të rrezikshme, por ishin ato që më bënë njeriun që jam sot.” Ai kujton edhe miqësinë me reperin Ghali, “një raport besnikërie dhe dhune” ku, siç thotë me humor të hidhur, “mjaftonte një fjalë e gabuar dhe fillonin grushtet”.

Një rrëfim i zhveshur nga filtri
“Disa do thonë që e bëra për para. Ndoshta kanë të drejtë,” shkruan Fedez me sinqeritet. “Por nëse ky libër ndihmon qoftë edhe një person të ndjejë se nuk është i dështuar, atëherë ia ka vlejtur. Unë s’jam shembull i mirë ndoshta jam më i keqi por pikërisht për këtë, mund të bëhem shembulli më i dobishëm.”