Me siguri keni dëgjuar për CoQ10, një përbërës i zakonshëm në shumë produkte për kujdesin e lëkurës. I njohur gjithashtu me emrin e tij zyrtar, Koenzima Q10, ai është një nga antioksidantët më të fuqishëm në dispozicion sot. Por çfarë është saktësisht ky përbërës dhe si mund të ndihmojë shëndetin dhe bukurinë tonë?
Për më shumë informacion, redaktorët e Vogue kërkuan mendimin e ekspertëve: farmacistit Shabir Daya, krijues dhe formulues i suplementit DoSe dhe bashkëthemelues i retailer-it britanik Victoria Health, dhe dermatologes së certifikuar në New York, Dr. Hadley King.

Çfarë është CoQ10?
Koenzima Q10 është një antioksidant që gjendet natyrshëm në çdo qelizë të trupit tonë. “Është një nga përbërësit përgjegjës për prodhimin e energjisë që nevojitet për rritje dhe mirëmbajtje të trupit,” thotë Daya.

Përdorimet e CoQ10
CoQ10 ndihmon qelizat të funksionojnë normalisht. “Bashkë me magnezin, përdoret për prodhimin e ATP-së (adenozinë trifosfat), molekulë që furnizon qelizat me energjinë e nevojshme për reaksione kimike, riparim, rritje dhe procese të tjera,” shpjegon Daya. Ai gjithashtu mbron qelizat nga radikalet e lira që shkaktojnë dëme gjenetike.

Përfitimet e CoQ10
1. Mbështet metabolizmin
Përqendrimet më të larta gjenden në zemër, mëlçi, veshka dhe pankreas, organe me kërkesa të larta energjetike.
2. Nxit funksionin muskulor
Ndihmon qarkullimin dhe oksigjenimin e indeve, duke kontribuar në funksionimin optimal të muskujve.
3. Mbron lëkurën dhe trupin
Mbron qelizat nga stresi oksidativ, lufton plakjen e parakohshme, stimulon prodhimin e kolagjenit dhe parandalon rrudhat.
4. Lehtëson dhimbjet
Mund të ndihmojë kundër migrenës dhe të reduktojë lodhjen dhe dhimbjet muskulore, veçanërisht te atletët.
5. Parandalon sëmundje
Mund të mbrojë zemrën, sistemin nervor dhe trurin, si dhe të ndihmojë në parandalimin e disa kancereve dhe sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve.
6. Mbështet fertilitetin
Mund të ndihmojë rritjen e shëndetshme të vezëve dhe spermatozoideve.

Kush duhet të shmangë CoQ10?
Doza të larta (>100 mg/ditë) mund të shkaktojnë nauze dhe diarre. Ata që marrin antikoagulantë ose ilaçe për tensionin duhet ta shmangin, pasi CoQ10 mund të ndërhyjë me efektivitetin e ilaçeve. Gruaja shtatzënë ose që ushqen me gji duhet të konsultohet me mjekun.