Kim Kardashian po përgatitet të hapë një kapitull të ri në jetën e saj dhe këtë herë, jo në televizion.

Ylli i “The Kardashians” deklaroi në emisionin “The Graham Norton Show” se pas dhjetë vitesh dëshiron të heqë dorë nga imazhi i saj publik si “Kim K” për t’iu përkushtuar plotësisht karrierës si avokate gjyqi.

“Pas dy javësh do të jem zyrtarisht e kualifikuar. Shpresoj të ushtroj profesionin e avokates,” – tha ajo, duke shtuar: “Ndoshta pas dhjetë vitesh do të heq dorë nga ‘Kim K’ dhe do të bëhem avokate gjyqi. Kjo është ajo që dua me të vërtetë.”

45-vjeçarja, e cila përfundoi studimet juridike në maj pas gjashtë vitesh, e festoi diplomimin me një ceremoni private ku morën pjesë familjarë dhe miq të afërt.

Një prej mentorëve të saj foli për përkushtimin e Kim-it, duke zbuluar se ajo ka studiuar 18 orë në javë, 48 javë në vit, për gjashtë vite rresht plot 5,184 orë studim ligjor.

“Gjatë gjithë kësaj kohe ajo rriti katër fëmijë, menaxhoi biznese, xhiroi emisione dhe u shfaq në gjykata për të mbrojtur të tjerët,” – u shpreh mentori.

Kardashian nisi studimet për drejtësi në vitin 2019, pas përfshirjes në rastin e Alice Marie Johnson, një gruaje që u lirua nga burgu falë përpjekjeve të saj për reformën e faljeve.

“Kur isha në Shtëpinë e Bardhë, përballë gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë, mendova: ‘Duhet të di më shumë.’ Aty kuptova që nëse di më shumë, mund të bëj më shumë,” – rrëfeu ajo.

Edhe pse dështoi tre herë në provimin e njohur si “baby bar”, Kim arriti ta kalojë në vitin 2021, duke e quajtur atë një nga fitoret më të mëdha personale të saj.

Pasioni i saj për ligjin nuk është i rastësishëm. Babai i saj i ndjerë, Robert Kardashian, ishte një avokat i njohur, i cili u bë pjesë e historisë amerikane si pjesë e ekipit mbrojtës të O.J. Simpson në gjyqin e famshëm të vitit 1995.

Sot, Kim shprehet se dëshiron të hapë një firmë ligjore të suksesshme dhe të luftojë për reformën e sistemit të drejtësisë.

Një qëllim që tregon se, përtej famës dhe pasurisë, Kim Kardashian po përpiqet të ndërtojë një trashëgimi që shkon përtej emrit “Kim K.”