Nga Ermal Spahiu

Jetojmë në kohën e standardeve moderne, ku peshën e një vëmendje e fiton teknologjia duke bërë protagonistë në terma viralë, personazhe që s’kanë fituar asgjë me djersën e ballit. Për pasojë, televizionet kthehen në treg shumice duke transportuar mallra pa marrë parasysh cilësinë e tyre.

Jo pa shkak, autoshkolla “VIP” vazhdon të prodhojë viralitet, më shumë se kulturë. Një autoshkollë e tillë nuk ndërtohet mbi moralin, por mbi fitimin. Nuk mjafton të jesh intelektual, me dy fakultete në xhep, të jesh i zoti, kritik, i paepur ndaj sfidave, të jesh i përgjegjshëm, e me oratori.

Sot, në këtë autoshkollë, mjaftojnë K-të. S’e kam fjalën sa zero ke në bankë, as për K-lasin në veshje, stil dhe ato që thua. Janë K-ilet e Instagramit, Facebookut, Tiktokut. Ato peshohen sot në ‘fabrikën’ e formimit të personazheve që marrin titullin: VIP.

Si për ironi, K-të bëjnë diferencën. S’ka K-arakter, por ka K-undërpërgjigje. Nuk ka K-ulturë, por K-acafytje. Në vend të K-ualitetit, nxisim K-eqbërjen. Nuk i japim K-oherencë gjërave, por fokusin e mbajmë te K-aosi. Nuk dimë të jemi K-orrektë, por për Keq-veprim jemi të parët në radhë. Sepse, VIP-at e sotëm, sollën në dukje K-oklavitjen e jo K-thjelltësinë.
Ndaj dhe sot, K-të nuk janë më fillesa vlerash, por kufoma fjalësh.

Pse mbetëm kështu vallë? Sepse në vend të K-rijimit, zgjodhëm të K-opjojmë të huajit, botën. S’ia dolëm të ishim kaq të aftë në këtë aspekt. Për të ndërtuar vlera, nuk mjafton të dish të K-likosh; duhet të dish të K-uptosh. Ndaj nëse doni të merrni frymëzim nga një VIP, hulumtoni fillimisht autoshkollën prej nga e ka marrë titullin dhe formimin, e mandej, “guxoni” t’i ndiqni.