Dashuria ka shumë fytyra, veçanërisht kur e shikon nga jashtë.

Ka çifte që duken krejt natyrshëm bashkë, si të kenë lindur për njëri-tjetrin: Jeffrey dhe Ina Garten, Dwyane Wade dhe Gabrielle Union, Kieran Culkin dhe Jazz Charton. Dhe pastaj janë ata çiftet që duken aq pa kimi, sa të krijojnë përshtypjen sikur lidhja e tyre është shkruar nga inteligjenca artificiale.

Në krye të kësaj liste, për momentin? Katy Perry dhe Justin Trudeau.
Dyshja “zyrtarizoi” publikisht lidhjen e tyre në Paris, në një vend po aq të çmendur sa vetë kombinimi: kabareja legjendare Crazy Horse, ku Perry festoi ditëlindjen e saj të 41-të.

Kur dolën për herë të parë thashethemet gjatë verës, menjëherë pas ndarjes së Katy-t nga partneri i saj prej shumë vitesh, Orlando Bloom, reagimi im ishte… jo tronditje, por habi. S’është ndonjë tragjedi kur dy njerëz të pasur dhe të bukur nisin të puthen, por ideja e Perry me ish-kryeministrin e Kanadasë dukej e papritur.

Megjithatë, kur pashë Trudeau duke kënduar me gjithë shpirt këngën “Firework” gjatë një koncerti të Katy-t, fillova ta kuptoj. Ndoshta për një burrë që ka qenë për vite në qendër të vëmendjes, që nga divorci i tij në vitin 2023 është shpallur si “politikani më i dëshiruar i Kanadasë”, mund të jetë çliruese të jesh thjesht një fans në turmë, duke brohoritur për dikë që është edhe më i famshëm se ti.

Sepse, mendo pak: kush tjetër përveç Katy Perry mund ta bëjë Justin Trudeau të duket “si një djalë normal”?

Në fakt, sa më shumë e mendoj, aq më shumë kjo lidhje ka logjikën e vet. Të dy janë prindër Perry ka vajzën pesëvjeçare Daisy me Bloom, ndërsa Trudeau ka tre fëmijë me ish-bashkëshorten e tij Sophie Grégoire Trudeau dhe askush nuk e kupton më mirë betejën për të mbajtur një romancë gjallë mes krizave të fëmijëve, kalendarëve të ndarë dhe lodhjes prindërore, sesa dikush që po kalon të njëjtën gjë.

Por detaji që më ka bërë ta përqafoj plotësisht idenë “Katy & Justin” është mënyra se si ata e festuan ditëlindjen e saj. Çdo politikan i mërzitshëm mund të të çojë në një darkë luksoze në Paris dhe të të japë një stoli të zgjedhur nga asistenti. Por duhet të jesh me të vërtetë i çlirët dhe paksa i guximshëm që të shfaqesh në një kabare si Crazy Horse dhe të mos kesh frikë nga tabloidët.

Në fund të fundit, unë e adhuroj një “mami që di të argëtohet”, dhe mesa duket, edhe Justin Trudeau është i të njëjtit mendim.


Përkthim dhe përshtatje nga artikulli i Emma Specter për Vogue.com