Një gjurmë ADN-je ishte ajo që "zhbllokoi" hetimet dhe çoi te autorët e grabitjes në  Luvër, duke rezultuar në arrestimin e dy prej tyre të shtunën në mbrëmje. Sipas BFMTV, duke cituar një burim pranë hetimit, njëri nga dy të dyshuarit u identifikua falë një "gjurme vendimtare ADN-je" në vendin e grabitjes.

Që kur përfundoi "grabitja e shekullit", policia mjeko-ligjore ka qenë duke kërkuar në zonë për çdo të dhënë të mundshme. Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha të enjten se nga vendi i ngjarjes ishin mbledhur "më shumë se 150 mostra ADN-je, gjurmë gishtash dhe gjurmë të tjera".

Shefja e policisë mjeko-ligjore, Perrine Rogiez-Thubert, i tha BFMTV se hetuesit po punojnë ose me gjurmë "të pasura", siç janë gjaku, pështyma ose sperma, ose me gjurmë "të dobëta", pra gjurmë kontakti të ADN-së në objekte që i dyshuari mund të ketë prekur.

Në muzeun e Luvrit , autorët lanë pas disa sende që mund të përmbajnë gjurmë, siç janë një helmetë, një radio dore, një jelek të verdhë dhe dy rrota prerëse metalesh. Në këto raste, pas mbledhjes së mostrave të ADN-së, ato analizohen dhe përpunohen në një laborator. Atje, studiuesit marrin gjenotipin, ose profilin gjenetik, të një individi.

Operacioni u përshpejtua kur një i dyshuar u përpoq të arratisej!

Si pjesë e testeve të ADN-së, njëri nga dy të dyshuarit u identifikua dhe më pas u arrestua. Dy burrat e arrestuar janë rreth 30 vjeç dhe të dy vijnë nga Aubervilliers. Roli i tyre i saktë në grabitje nuk dihet ende, por ata konsiderohen "të dyshuarit kryesorë".

Aubervilliers është një periferi veriore e Parisit dhe i përket departamentit të Saint-Denis. Zona është e populluar dendur, me punëtorë, emigrantë, por edhe artistë dhe studentë të rinj. Njëri nga dy të dyshuarit, i cili sipas gazetës franceze "Le Monde" ka shtetësi franceze dhe algjeriane, u arrestua në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle ndërsa po përgatitej të nisej për në Algjeri. Personi tjetër i arrestuar ka shtetësi franceze.

Policia ishte tashmë në krah të të dyshuarve, me shpresën për të identifikuar plaçkën dhe bashkëpunëtorët e tyre. Megjithatë, operacioni u përshpejtua kur ata kuptuan se njëri prej të dyve kishte ndërmend të arratisej. Prandaj, bizhuteritë mbeten të pagjetura./ Dosja.al