
Nga një dekadë në tjetrën, hartat e pasurisë në Europë po ndryshojnë.
Siç shkruante së fundmi media britanike “The Telegraph”, Milano po përjeton një “moment të artë”, teksa të pasurit britanikë, të lodhur nga taksat e larta dhe retorika populiste e laburistëve, po zhvendosin rezidencat dhe investimet e tyre drejt Italisë, ku klima fiskale është më e butë dhe stili i jetesës më i përshtatshëm (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).
Por përtej këtij riorientimi të brendshëm europian, pyetja që lind natyrshëm është: a mund të bëhet Tirana një alternativë pak më e largët, por më e leverdishme për kapitalin e lëvizshëm të pasurisë?
Në dukje, ideja mund të tingëllojë e guximshme – Shqipëria nuk është Milano, dhe Tirana nuk është një qendër financiare. Por rajoni Tiranë–Durrës, nëse shihet me syrin e investitorit që kërkon potencial dhe jo vetëm pasuri të ndërtuar, ka disa elemente që vlejnë të merren seriozisht.
Rajoni ka një aeroport ndërkombëtar aktiv, një tjetër në ndërtim në Vlorë dhe afërsia me Portin e Durrësit krijojnë një korridor natyral mes një kryeqendre urbane të zhvilluar dhe bregdetit, që brenda 30 minutash ofron det, jetesë dhe lidhje me botën.
Për shumë europianë që kërkojnë një mënyrë jetese me ritëm më të ngadaltë, por me qasje të shpejtë ndaj shërbimeve, ky kombinim është i rrallë.
Për më tepër, Tirana ka një popullatë aktive dhe dinamike, që flet një anglishte të mirë, një treg pune që po urbanizohet me shpejtësi, zhvillim të tregut të profesioneve të lira dhe një sektor pasurish të paluajtshme ende të leverdishëm.
Ndryshe nga qendrat e mëdha europiane, në Tiranë, një apartament i mirëpozicionuar në qendër kushton ende një fraksion të çmimit të Londrës, Parisit apo Madridit, ndonëse çmimet po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta për vendasit.
Por faktori më interesant nuk është vetëm çmimi, por kuadri fiskal. Shqipëria ka potencial të formulojë një regjim tërheqës për europianët me të ardhura të larta, jo vetëm për investitorë nga Lindja apo Azia që kërkojnë “pasaporta të arta”.
Të ardhurat personale në Shqipëri – qofshin nga puna, qiratë apo investimet – tatohen me një normë lineare shumë më të ulët se në pjesën më të madhe të BE-së, me një nivel që arrin maksimumi në 23%.
Një profesionist, që fiton mbi 100 mijë euro në vit dhe punon nga distanca, mund të kursejë shuma të mëdha në taksa vetëm duke e zhvendosur rezidencën e tij fiskale në Tiranë.
Në Gjermani, ai do të taksohej deri në 45-50% të të ardhurave; në Shqipëri, shumë më pak. Në një kohë kur puna online dhe mobiliteti janë bërë normalitet, kjo është një armë konkurruese që mund të shfrytëzohet me politikë të mençur.
Megjithatë, rreziku qëndron në anën tjetër të ekuacionit: një treg pasurish që rritet më shpejt se infrastruktura që e mbështet.
Shqipëria po ecën me ritme të forta në ndërtim, por jo gjithmonë me të njëjtin intensitet në rrugë, transport publik, kanalizime dhe shërbime urbane, apo trafikun, ku shpesh shpenzon shumë kohë, çka do të ishte e papranueshme për një sipërmarrës të huaj.
Pa një bazë infrastrukturore solide, avantazhi fiskal dhe afërsia me detin rrezikojnë të mbeten vetëm fjalë në letër.
Në fund, nëse vendi dëshiron të tërheqë kapitalin dhe banorët e rinj europianë, duhet të balancojë ndërtimin me mirëqenien: të mos e shohë zhvillimin e tregut të pasurive si qëllim në vetvete, por si mjet për të rritur cilësinë e jetesës dhe nivelin e shërbimeve.
Tërheqja e të pasurve nuk është vetëm çështje fasade apo statusi – është një motor ekonomik që mund të nxisë shumë profesione, turizmin, tregtinë, që në fund të fundit do të realizohen nga vendasit si dhe do të do të shënojë një tjetër standard në kulturën e shërbimit.
Meqë kullat u bënë, apo dhe do të bëhen, bazuar në lejet e dhëna, të paktën le t’i shfrytëzojmë me mençuri.
Nëse Tirana do të dijë t’i japë kuptim këtij potenciali, mund të mos bëhet Milano, por mund të kthehet në një histori suksesi në vetvete – një qytet që di të tërheqë, të përfitojë dhe të krijojë vlerë për të gjithë.
