
Kanë kaluar plot katër vite që nga momenti kur Einxhel Shkira hyri për herë të parë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP”. Për moderatoren, ajo eksperiencë nuk solli vetëm vëmendje dhe sukses profesional, por edhe një kthesë të madhe personale: dashurinë e jetës së saj, DJ Dagz, me të cilin sot ndan një familje të lumtur dhe dy fëmijë.
Në një postim nostalgjik në “Instastory”, Einxhel ndau një kujtim nga ajo periudhë, duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj dhe ndryshimet e mëdha që ka përjetuar ndër vite.
“Ndërkohë si sot, 4 vjet më parë. Kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë,” ka shkruar ajo, krahas një fotografie nga ajo kohë.
Moderatorja ka pranuar se megjithëse mund t’i mungojë pamja e dikurshme, ajo nuk do të kthehej më pas në atë periudhë të jetës.
“Mund të më mungojë pamja e saj, trupi, flokët, fytyra… por jo jeta e saj. Ah, sikur ta dinte atë ditë se do të ishte jeta e saj pas katër vitesh, do kishte barrën më të lehtë në shpirt dhe do flinte më e qetë,” ka shkruar ajo.

Einxhel shtoi se vetëm pasi përjetoi dashurinë e vërtetë dhe paqen e brendshme, kuptoi boshllëkun që e kishte shoqëruar më parë.
“Nuk e kuptoja sa bosh dhe e trishtuar isha, derisa përjetova lumturinë hyjnore dhe plotësim shpirtëror. Faleminderit Zot për bekimet e tua,” përfundoi ajo.
