Aktorja 28-vjeçare Sydney Sweeney i ka dhënë fund zërave për operacione plastike, duke theksuar se nuk ka bërë asnjë ndërhyrje estetike. Në një intervistë për revistën Variety, e publikuar të hënën, ajo tha qartë:
“Nuk kam bërë asgjë. Jam absolutisht e tmerruar nga gjilpërat. As tatuazhe, asgjë.”

Ylli i serialit Euphoria u shpreh se pavarësisht thashethemeve për pamjen e saj, ajo është e vendosur të plaket natyrshëm:
“Do të plakesha me hir.”

Sweeney tha me humor se shumë nga krahasimet që qarkullojnë online nuk kanë kuptim.
“Është qesharake. Shoh foto që njerëzit i krahasojnë dhe them: ‘Në atë foto jam 12 vjeç!’ Sigurisht që dukem ndryshe tani kam make up dhe kanë kaluar 15 vjet,” tha ajo.

Përveç pamjes, aktorja është bërë shpesh qendër e diskutimeve. Më herët këtë vit, ajo u përfshi në një debat pas një reklame të American Eagle për xhinse, ku loja me fjalët “jeans” dhe “genes” u kritikua si “ofenduese” dhe me “nëntekste raciste”. Kompania megjithatë mbrojti fushatën.

Edhe pse nuk e komentoi drejtpërdrejt këtë çështje, Sweeney u shpreh:
“Luaj shumë personazhe të ndarë mes dashurisë dhe urrejtjes, dhe njerëzit mendojnë se më njohin, por nuk është kështu. Kur më quajnë ‘simbol seksi’, them: ‘Jo, unë thjesht ndjehem mirë dhe e bëj për veten time. Ndjehem e fortë.’”

Ajo shtoi:
“Shpresoj të frymëzoj gratë të ndihen të sigurta, të krenare me veten dhe të mos ndihen kurrë të detyruara të fshihen apo të kërkojnë falje për atë që janë.”