Moderatori Meriton Mjekiqi ishte i ftuar në “Goca dhe Gra”, ku foli hapur për jetën personale dhe marrëdhënien me të birin. Meritoni pranoi se aktualisht “ka humbur çdo kontakt” me djalin dhe se çështja është përshkallëzuar në procese gjyqësore që, sipas tij, do t’i ndjekë “deri në fund”.

“Problemet e mia vazhdojnë me nënën e djalit. Ka humbur çdo kontakt, nuk kam kontakt për me e dit si e kam djalin. Djali ka bo 7 vjet, më mungon… Besoj se gjyqet do vazhdojnë, do i përgjigjem deri në fund,”  u shpreh ai.

Në studio, Mjekiqi mori përgjegjësinë për ndarjen, duke theksuar se marrëdhënia nuk funksionoi, por njëkohësisht nënvizoi se e drejta e tij si prind për të qenë pranë fëmijës nuk duhet të cenohet.

“Faji im që jemi ndarë, do të thotë që s’kemi shkuar mirë për njëri-tjetrin. Por të drejtën e djalit nuk mundesh me ma mohu,” — tha ai, duke iu drejtuar ish-partneres me një thirrje publike që të rishikohet situata.
Sipas moderatorit, pavarësisht përpjekjeve, ai nuk ka pasur mundësi ta takojë djalin. “Nuk e kam takuar fare, nuk ma ka dhënë mundësinë,” u shpreh Mjekiqi.

Në vazhdim, ai foli edhe për sfidat e komunikimit me të birin, duke thënë se djali është në spektrin e autizmit një fakt që, sipas tij, e bën procesin e lidhjes prind-fëmijë edhe më të ndjeshëm dhe kërkon bashkëpunim të plotë mes prindërve.

“Djali im është autik dhe forma e tij për të komunikuar është shumë më e vështirë,” tha Mjekiqi, duke shtuar se “duke shfrytëzuar këtë situatë, ajo luan me veten duke më lënduar mua… Ka një limit.”
Megjithë akuzat, ai u përpoq të mbante një ton mirënjohës për rolin e nënës:

“Jam falënderues për çdo gjë, është një nënë e shkëlqyeshme, por në raport Loart-Meriton, ka abuzuar deri në maksimum,” — deklaroi ai, duke theksuar se bëhet fjalë për marrëdhënien mes dy ish-partnerëve, jo mbi aftësitë e saj si nënë.

I pyetur se si do ta rindërtojë marrëdhënien me djalin nëse i jepet mundësia, Mjekiqi tha:

“Kur ta takoj, do ia them të vërtetën time. Ai rritet në një të vërtetë, por besoj se do e kuptojë edhe të vërtetën time.”