Këngëtarja Elhaida Dani ka folur hapur për marrëdhënien me Ledjan Agalliajn, lindur gjatë “Dancing With The Stars”, teksa ai kishte një lidhje 7-vjeçare. Në intervistën për "The Dalina Show", në Andale Media, artistja rrëfeu presionin publik, konfliktet në prapaskenë dhe mesazhet e dhunshme që mori në kulmin e zhurmës mediatike.

Sipas Danit, raporti u bë publik drejt e në skenë, jo nga dëshira e saj, por “për arsye që s’do t’i cekë”. Ekspozimi solli tension me disa konkurrentë:

“Bëra armiq… po fillonin të mendonin ‘ja Elhaida e shenjta, çfarë paskësh kurdisur’.”
Ajo thotë se pas këtij momenti zgjodhi të tërhiqej:

“Ju morët atë që deshët nga unë… por tani s’dua t’ju jap më asgjë. Do strukem aty ku ndihem e mbrojtur.”

Elhaida tregon se mori sms të rënda, deri në kërcënime me vrasje: “Më vinin mesazhe: ‘ku do të kap’, ‘ku do jesh ti’… Nuk e meritoja atë gjë.”

Në thelb të rrëfimit, një vijë e kuqe: përgjegjësia për sqarimet publike, sipas saj, duhej të ishte e partnerit:

“Të gjitha detyrimet e shpjegimet duhet t’i bënte Ledjan Agalliaj, jo unë.”