Beteja shumëvjeçare ligjore mes Brad Pitt dhe Angelina Jolie për kantinën franceze Château Miraval është ashpërsuar sërish. Aktori ka depozituar dokumente të reja në gjykatë, duke kërkuar që gjyqtari ta detyrojë ish-bashkëshorten të dorëzojë email-e private që, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me shitjen e pjesës së saj te grupi Stoli.

Në kërkesën e re, e siguruar nga Page Six, Pitt i kërkon gjykatës t’i urdhërojë Jolie-n të dorëzojë korrespondencën e saj me:

-menaxherin e biznesit Terry Bird,
-publicistet britanike Chloe Dalton dhe Arminka Helic,
-si edhe dy konsulentë financiarë.

Sipas Pitt, Jolie ka pranuar në një deklaratë të mëparshme se diskutonte me Bird “të gjitha aspektet” e jetës së saj profesionale, përfshirë çështje ligjore. Aktori argumenton se sesione të tilla “brainstorming” mes jo-juristësh nuk mbrohen nga sekretimi avokat-klient dhe për rrjedhojë duhet të zbulohen. Ai shton se deri tani Jolie ka dorëzuar “vetëm një email të brendshëm” që përmend kushtet e shitjes në qendër të çështjes.

Sipas Pitt, email-et e munguara përmbajnë komunikime të Bird ku diskutohen termat e shitjes së interesit të Jolie-t te “Stoli Parties” transaksioni kyç në këtë proces.
Pitt po kërkon gjithashtu që gjykata të hedhë poshtë kërkesën e Jolie-s që ai t’i paguajë 33.000 dollarë si shpenzime avokatie për kundërshtimin e mocionit të tij fillestar për dorëzimin e email-eve.

Pala e Jolie-s ka refuzuar dorëzimin e email-eve, duke këmbëngulur se përfshijnë komunikime të privilegjuara ligjore. Avokati i aktores, Paul Murphy, e akuzon Pitt për “ndërhyrje në korrespondencë të privilegjuar” me juristët e saj dhe e cilëson padinë si vazhdim i një “përpjekjeje shumëvjeçare për ta ngacmuar dhe kontrolluar Angelina-n.”