Dhjetë persona u dënuan me 'dënime me kusht' nga 3 deri në 12 muaj nga Gjykata Penale e Parisit, pasi publikuan në rrjete sociale shaka, fyerje, fotomontazhe dhe karikatura që pretendonin se Brigitte Macron ishte burrë. Rasti shënon procesin e parë penal në Francë për ngacmim dixhital të Zonjës së Parë.

Të pandehurit, të moshave 41–60 vjeç dhe pa influencë të veçantë publike, u akuzuan se përmes postimeve kanë përhapur shpifje dhe fyerje mbi identitetin gjinor të Brigitte Macron. Shumica u mbrojtën duke thënë se bëhej fjalë për satirë dhe humor, duke përmendur madje “frymën e Charlie Hebdo”. Gjykata i cilësoi postimet ngacmim dhe fyerje publike.

Në sallë u lexuan shembuj postimesh tepër fyese; disa të pandehur kërkuan falje të vakëta, të tjerë minimizuan përgjegjësinë duke thënë se “nuk iu drejtuan asaj drejtpërdrejt”.

Në bankën e dëshmitarëve u paraqit Tiphaine Auzière, vajza e Brigitte Macron.

“Doja të flisja për si ka qenë jeta e saj që nga nisja e sulmeve. Kam parë një përkeqësim të dukshëm. Ajo detyrohet të mendojë çfarë vesh e si paraqitet, sepse e di se imazhi i saj mund të keqpërdoret,” — tha Auzière, duke shtuar se gënjeshtrat kanë prekur edhe nipërit: “Në park u thonë: ‘Gjyshja juaj është gjyshi juaj.’”

Prokuroria veçoi tre “nxitës” të zinxhirit të shpifjeve:

-Aurélien Poirson-Atlan, i njohur online si “Zoé Sagan”, që prej vitesh ka amplifikuar thashethemet nën petkun e “hetimeve” të supozuara;
-Delphine J. (Amandine Roy), e cila përhapi një video të gjatë me intervista ku u ushqyen mitet;
-Bertrand Scholler, galerist me audiencë të madhe në X, që në sallë e krahasoi manipulimin e fotove me “praktika artistike” provokative.Sipas prokurorisë, të gjithë operuan brenda një universi konspirativ, ku edhe diferenca e moshës mes Brigitte dhe Emmanuel Macron u instrumentalizua (me referencën “14–39”, mosha kur u njohën).

Rasti mori dimension ndërkombëtar në mars 2024, kur influencuesja pro-Trump Candace Owens e çoi narrativën në SHBA, duke e quajtur madje “skandali më i madh politik” pretendim i pabazë.