Shqipëria është një vend i vogël, gati rreth 1 milionë banorë, teksa gjysmën e trupit të saj e gjen jashtë, në vendet e botës. Një vend që njohu sisteme nga më të ndryshme e të cilat prodhuan një sistem brenda sistemit.

Në një vend të tillë, parashikimet e jetës mposhtin çdo llotari dhe koefiçient rezultatesh. Komunikimi bazë është ai që ka ndryshuar. E kjo vjen si pasojë e një edukimi gjysmak. Ndodhin kaq shumë ngjarje, njerëzit i sheh kaq të frustruar dhe në çdo prekje në telefon klikon një lajm të zi. Çdo klikim hap një plagë të re, por askush nuk i ndjen më këto dhimbje.

Tani askujt s’i bën më përshtypje. Gjëra që ndodhin për një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Europian. Këto i sheh dhe bota. Përballë botës që në fakt është një galaktikë, ne mbetemi thjesht një “rruazë” tokësore, ndaj arsyetimet tona shpesh ngrihen në ajër dhe bien në tokë pa dhënë kurrëfarë rezultati.

Le ta kapim moralin nga koka. Brenda tij gjen mllef, zbrazëti, frikë, pasiguri, sy të ndezur dhe duar gati për të vepruar. Mjafton motivi dhe ato janë gati të shkrepin veprën e radhës. E kush mund t’i mendojë motivet; ndonjë vend parkimi, parakalim i gabuar, gërvishtje pasqyre, foto e papaguar, një shishe ujë më tepër në tavolinë, dikush gjen një qime, një tjetër “kapet” pas një proshute, një kafe ekspres që pritet të ndezet qoftë dhe në mesnatë, disa shikime më shumë, e kështu me radhë. Sa shumë mbledh morali brenda vetes dhe sa i paaftë është njeriu për të rrokur arsyen.

Një koleksion motivesh, të cilat po t’i gdhendësh në mur do krijonin një vepër arti. Të gjithë do të merrnin shembull, disa do frymëzoheshin, të tjerë do qeshnin me lot. Biletën do ta gjeje falas, ndryshe nga shfaqjet e teatrove që kërkojnë pagesë. Skenar s’mund ti shkruash dot kësaj regjie filmi, pasi në apokalipset sociale, dramaturgjia është e pafuqishme për të dhuruar të njëjtat emocione që preken me këmbë në tokën shqiptare.

As çmimet Oscar, Emmy nuk do ia dilnin dot të kurorëzonin një aktor të tillë kaq të spikatur, i cili për Kombëtaren në sport është gati t’i vë flakën çdogjëje duke festuar, e kur vjen momenti për të ngritur zë për të drejtat, e gjen duke u ankuar për çdo gjë që i sheh syri, e kur duhet t’i zgiidh mosmarrëveshjet, e gjen duke përfunduar në kronikë të zezë.

Ia dolëm të ngremë çdo standard, por ngelëm në klasë në të vetmin provim: Komunikimin. Këtë kulturë se mbollëm dot. Këtë taksë jemi duke e shlyer me jetë.