Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Kamëz, ku policia ka arrestuar një 48-vjeçar të dyshuar për përdhunimin e një të mituri.

Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në një lokal të zonës, ku i arrestuari, Fatjon Bushi, po konsumonte kafe, ndërsa 15-vjeçari punonte si kamarier.

Në lidhje me rastin është vënë nën hetim edhe pronari i lokalit, 37 vjeç, i cili akuzohet se e kishte marrë të miturin në provë, duke e punësuar në mënyrë të paligjshme.

Sipas policisë, Bushi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me adoleshentin.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin F. B., 48 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. Xh., 37 vjeç, pasi shtetasi F. B. dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me një shtetas të mitur, i cili ishte i punësuar në mënyrë të kundërligjshme, nga shtetasi T. Xh”, thuhet në njoftimin e policisë.