Në një rrëfim prekës në “Grida Duma Podcast”, këngëtarja Elsa Lila ka folur për herë të parë me detaje mbi momentin kur mori lajmin e vrasjes së nënës në vitin 1997, vetëm pesë muaj pasi ishte larguar nga Shqipëria me helikopterin e ambasadës italiane.

“Italia ishte burgu im i parë. Nuk më lejuan të kthehesha, kufijtë ishin të mbyllur. Doja vetëm ta shihja nënën, por nuk munda. E kam parë vetëm një gur kur u ktheva në tetor,” rrëfeu artistja, duke përshkruar pamundësinë për t’u rikthyer në kulmin e trazirave të asaj kohe.

Edhe sot, shumë vite më vonë, pranimi i humbjes mbetet një plagë e hapur:

“E mendoj sikur është diku, në një kontinent tjetër, dhe po jeton jetën e saj,” u shpreh Lila, duke pranuar se truri i saj ende nuk e ka pranuar realitetin.

Viti 1997 shënoi një nga kapitujt më të dhimbshëm të tranzicionit shqiptar, me krizën e firmave piramidale, trazirat dhe dhunën që lanë pas qindra viktima. Në atë klimë pasigurie, shumë qytetarë, përfshirë figura publike, u evakuuan jashtë vendit përmes korridoreve diplomatike. Elsa Lila ishte mes atyre që u larguan drejt Italisë, ku më pas nisi faza e saj e re profesionale, por edhe një kapitull i rëndë personal i shënjuar nga humbja e nënës.