Në një bisedë në “Grida Duma Podcast”, Elsa Lila ka treguar se si e përjetoi momentin kur u akuzua në Itali dhe u përball me prangat.

“Ke një akuzë 20 vite e lart dhe gjëja e parë që mendova ishte: çfarë mund të kem bërë unë për ta merituar këtë? Ndoshta ndonjë gjobë e makinës, por s’vlen 20 vite,” -tha artistja, duke përshkruar shokun e parë në kontakt me karabinierët.

Rrëfimi i saj ndalet te momenti i ngrirë përballë prangave dhe zhurmës së një akuze që s’e njihte veten:

“Të gjithë kemi anë të errëta dhe të ndriçuara. Të gjithë kemi lënduar dikë, ndoshta pa dashje. Edhe unë nuk kam qenë gjithmonë e përsosur, por kurrsesi për të merituar burg,” -shtoi Lila.

Këngëtarja tregon se muajt e përballjes me drejtësinë italiane i kanë lënë gjurmë të thella, të cilat i ka përmbledhur në librin e saj “Mirë se erdhe në Rebibbia”, një dëshmi personale mbi ankthin, stigmat dhe rindërtimin e vetes pas një akuze që ajo e konsideron të pabazë.

Elsa nënvizon se dinjiteti personal dhe e vërteta mbeten orientimi i saj i vetëm në situata kufitare: një thirrje që, për publikun, shërben si kujtesë se pas titujve të mëdhenj fshihen shpesh trauma reale dhe lufta të heshtura për drejtësi.