Në një epokë ku çdo njeri flet për proteina omëleta në mëngjes, gjoks pule në drekë dhe shake pas palestrës, duket sikur gjithçka rrotullohet rreth këtij makronutrienti magjik.
Por çfarë ndodh me ata që nuk konsumojnë mish? A janë të dënuar të jetojnë me tofu dhe burgerë të ngrirë “plant-based”?
Ekspertët thonë: jo fare. Sekreti i proteinave vegjetariane është shumë më i thjeshtë nga sa mendoni dhe quhet bishtajore.

Pse bishtajoret janë “proteina e gjelbër” që nuk duhet të mungojë në tryezë?
Thjerrëzat, fasulet, qiqrat dhe bizelet janë shumë më tepër se sa një vakt i thjeshtë “dietik”.
Sipas një studimi të Cornell University, bishtajoret “kanë përmbajtje të lartë fibrash dhe proteinash, ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, diabetit, kolesterolit të lartë dhe obezitetit”.

Për më tepër, ato ndihmojnë në balancimin e metabolizmit dhe ruajtjen e peshës ideale.
Mjeku Dr. William Li ekspert në çështjet metabolike thekson se fasulet janë një nga ushqimet më të mira për të ushqyer mikrobiotën e zorrëve. Ndërkohë, Dr. Olivier Courtin-Clarins shton se disa studime klinike kanë treguar se konsumimi i rregullt i bishtajoreve ul përqindjen e dhjamit trupor edhe pa kufizuar kaloritë.

Kombinimi perfekt: oriz + bishtajore = proteinë e plotë
Arsyeja pse në shumë kultura, nga Amerika Latine deri në Lindjen e Mesme, orizi dhe fasulet janë një dyshe tradicionale, është e thjeshtë:
Kur konsumohen bashkë, krijojnë një proteinë të plotë, që përmban të gjitha 9 aminoacidet esenciale  njësoj si mishi.

Nutricionistja Leticia Carrera rekomandon që ky kombinim të përfshihet në dietë të paktën 2–3 herë në javë në vend të mishit. “Ka më pak yndyrë, më shumë fibra dhe më shumë vitamina,” thotë ajo. “Përfitimet janë të dukshme: më shumë energji, ndjesi ngopjeje, përmirësim të masës muskulore dhe forcim të imunitetit.”

Si t’i përfshini në mënyrë kreative në dietën tuaj?
Nuk ka pse të kufizoheni te një tas me oriz e thjerrëza. Ja disa ide që kombinojnë shijen me shëndetin:

-Burgerë vegjetarianë me fasule të zeza ose të kuqe dhe oriz integral.
-Curry me thjerrëza ose qiqra, i shërbyer me oriz basmati dhe pak vaj kokosi.
-Burrito me tortillë gruri, fasule, oriz, perime dhe guacamole.
-Speca të pjekur të mbushur me përzierje orizi dhe qiqrash.
-Sallatë proteike me qiqra, oriz, djathë, perime të freskëta dhe pak vaj ulliri.
-Risotto kremoze me fasule të bardha dhe kërpudha.

Nëse kërkoni një mënyrë për të pasur po aq proteina sa mishi, por me më pak yndyrë dhe më shumë fibra, bishtajoret janë zgjidhja ideale.