
Këngëtarja e njohur Britney Spears ka fshirë papritur llogarinë e saj në Instagram, pasi disa video dhe sjellje të fundit të saj kanë shkaktuar alarm dhe shqetësim te familjarët dhe fansat.
Të dielën, profili i saj zyrtar nuk ishte më i aksesueshëm. Instagram shfaqte mesazhin: “Na vjen keq, kjo faqe nuk është e disponueshme.” Ndërkohë, llogaria e saj në X (Twitter) mbetet aktive.
Ky veprim vjen vetëm pak ditë pas një videoje të publikuar nga Page Six, ku Spears shihej duke drejtuar makinën e saj BMW kabrio të zezë në mënyrë të rrezikshme, duke kaluar në korsinë e kundërt, teksa kthehej në shtëpi pas një nate me një mikeshë.
Megjithatë, menaxheri i restorantit Red O në Westlake, Kaliforni, ku këngëtarja kishte darkuar atë mbrëmje, mohoi që ajo të ketë qenë e dehur:
“Ishte shumë e qetë dhe e sjellshme,” – tha Oliver Wynn për Us Weekly. “Nuk dha asnjë shenjë shqetësuese. Thjesht hëngri, qëndroi pak dhe u largua.”
Pas publikimit të videos, Britney u përpoq të sqaronte situatën me një postim ironik në Instagram, duke shkruar:
“Nëse ndokush po pyet veten… ajo që shihet në video nuk jam unë.”
