Çështja ligjore mes aktorit Justin Baldoni dhe aktores Blake Lively ka marrë një zhvillim të ri të rëndësishëm. Një vendim përfundimtar është dhënë në padinë kundërpërgjigjëse prej 400 milionë dollarësh që Baldoni kishte ngritur ndaj Lively, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe gazetës The New York Times.

Sipas dokumenteve të gjykatës të siguruara nga E! News, gjyqtari Lewis J. Liman e kishte rrëzuar padinë e Baldoni-t në muajin qershor, por aktori nuk dorëzoi asnjë ankesë të amenduar brenda afatit të vendosur nga gjykata.

Në datën 17 tetor, gjykata lëshoi një urdhër për të gjitha palët që të shpjegonin pse nuk duhet të jepet një vendim përfundimtar në këtë çështje. Meqenëse Baldoni dhe studioja e tij Wayfarer Studios nuk iu përgjigjën, më 31 tetor gjykata zyrtarisht mbylli procesin.

Megjithatë, Baldoni ruan të drejtën për apel, pasi gjykata ende nuk ka vendosur mbi kërkesën e Blake Lively për t’i rimarrë shpenzimet ligjore.

Përplasja mes ish-kolegëve të filmit “It Ends With Us” pritet të vazhdojë. Blake Lively ka paditur Baldoni-n, duke e akuzuar për ngacmim seksual gjatë xhirimeve dhe për organizimin e një fushate PR që synonte të dëmtonte reputacionin e saj, akuza që Baldoni i ka mohuar plotësisht.
Kjo çështje është planifikuar të shkojë në gjyq në mars 2026.

Ndërkohë, edhe The New York Times ka ngritur një padi kundër Baldoni-t, duke kërkuar dëmshpërblim financiar dhe penalitete, pas kostove të larta që lidhen me kundërpadinë e tij ndaj tyre. Artikulli në qendër të konfliktit trajtonte pikërisht prishjen e marrëdhënieve mes Baldoni-t dhe Lively-t gjatë xhirimeve të filmit romantik të vitit 2024.

Një dramë hollivudiane që, ndryshe nga filmi, ende nuk ka fund.