
Pas suksesit të dokumentarit Beckham në Netflix, që tregoi anën më intime të jetës së ish-futbollistit David Beckham, tani është Victoria Beckham ajo që flet hapur për rrugëtimin e saj, nga “Posh Spice” te një prej grave më me ndikim në botën e modës. Në dokumentarin e ri me tre pjesë Victoria Beckham, në regji të Nadia Hallgren (autorja e “Becoming” për Michelle Obama), ish-anëtarja e Spice Girls zbulon historinë e saj personale, sfidat, pasiguritë dhe, mbi të gjitha, sekretin e martesës gati 30-vjeçare me David Beckham.
Victoria kujton takimin e parë me David në vitin 1997, gjatë një ndeshjeje futbolli.
“Nuk kisha ndier kurrë një lidhje të tillë me dikë,” – thotë ajo.
David, nga ana e tij, pranon në dokumentar se ka udhëtuar katër orë me makinë vetëm për ta parë 20 minuta, një gjest që sot tingëllon si fillimi i një romani të vërtetë dashurie.
Të dy rrëfejnë se në fillim e mbajtën lidhjen sekret, për shkak të famës së Spice Girls dhe presionit të mediave. “Të gjithë donin që unë të martohesha me një vajzë ‘të zakonshme’ nga Manchester-i,” – tregon David me humor. “Por unë nuk doja këtë. Nuk e kisha dashur kurrë thjeshtësinë e paracaktuar.”
David dhe Victoria u martuan në vitin 1999 dhe kanë katër fëmijë: Brooklyn (26 vjeç), Romeo (23 vjeç), Cruz (20 vjeç) dhe Harper (14 vjeç).
Por pas shkëlqimit publik, dokumentari tregon edhe presionin e vazhdueshëm të medias, veçanërisht mbi Victorinë, që për vite u reduktua në etiketën “gruaja e një futbollisti”.
“Kur je e martuar me një sportist, bota i idealizon ata,” -thotë në dokumentar mikja e saj e ngushtë Eva Longoria, që ka përjetuar një situatë të ngjashme.
Victoria pranon se për shumë kohë ndjeu se duhej të kontrollonte çdo detaj të imazhit të saj, një fiksim që u ushqye nga kritikat dhe nga periudha të vështira me çrregullime ushqimore:
“Kontrolloja gjithçka në mënyrë të pashëndetshme. Kur ke probleme me trupin, bëhesh mjeshtre për të gënjyer. Të thonë aq shpesh se nuk je e mjaftueshme, sa fillon ta besosh.”
Kur familja u zhvendos në Los Angeles në 2007 për kontratën e David me LA Galaxy, për herë të parë Victoria ndjeu qetësi. “Presioni i tabloidëve u ul, dhe ajo filloi të rifitonte besimin,” – kujton David.
Një vit më vonë, gjatë rikthimit të Spice Girls, Victoria kuptoi se muzika nuk ishte më vendi i saj. Filloi një kapitull të ri atë të modës, ku në fillim askush nuk e mori seriozisht:
“Isha një këngëtare e martuar me një futbollist. Kush mendohej se isha unë?”, kujton ajo me ironi.
Por me ndihmën e miqve si Anna Wintour, Tom Ford, Donatella Versace dhe mentorit të saj Roland Mouret, Victoria krijoi një markë që sot njihet për elegancë minimale dhe femërore.
“Për të arritur aty ku është, duhej të ‘vrisnim’ imazhin e WAG,” – thotë Mouret në dokumentar.
Suksesi nuk erdhi pa çmime. Victoria pranon se për një periudhë biznesi i saj ishte me dhjetëra milionë paund në humbje:
“David investonte shumë dhe ishte i shqetësuar. E dinim që nuk ishte e qëndrueshme, por nuk donim të dorëzoheshim.”
Në një skenë prekëse, ai i thotë:
“Je kaq e vendosur, e pasionuar, e përkushtuar. Por më prek fakti që gjithmonë ke nevojë të vërtetosh diçka. Kujt po i dëshmon?”
“Ndoshta ty,” – përgjigjet ajo me lot në sy.
David e përqafon dhe i thotë me humor:
“Edhe po të bëje një tost me djathë, do ishim krenarë për ty.”
“Në fakt, nuk di ta bëj,” – qesh ajo.
“E di,” – ia kthen ai.
Në fund, ajo që mbetet pas kamerave është një martesë e ndërtuar mbi miqësi, humor dhe përkushtim të ndërsjellë.
Nga Spice Girls te pasarelat e Parisit, Victoria Beckham tregon se sekreti i dashurisë së saj me David nuk është fama apo pasuria por përulësia, respekti dhe fakti që asnjëri nuk ka harruar kurrë pse u dashuruan.
“Nuk ka formula magjike,” – thotë Victoria.
“Ka thjesht dy njerëz që, pas 30 vitesh, zgjedhin ende çdo ditë të qëndrojnë bashkë.”
