
Cristiano Ronaldo nuk ka qenë kurrë ndër ata që ndan jetën personale nga ambiciet profesionale. Dhe tani, teksa i afrohet Kupës së Botës 2026, që shumë e shohin si të fundit në karrierën e tij,duket se edhe jeta jashtë fushës po ndjek të njëjtin ritëm si ëndrra e tij më e madhe.
Ronaldo dhe partnerja e tij prej vitesh, Georgina Rodríguez, po përgatiten për martesë, një martesë që ka më shumë domethënie sesa thjesht romancë.
Në një intervistë për Piers Morgan, Ronaldo ka rrëfyer detaje nga propozimi për Georginën, i cili nuk ishte një veprim spontan, por një moment plot simbolikë dhe përfshirje familjare. Fëmijët e çiftit kanë pasur një rol të ëmbël në këtë histori, ata i kanë thënë: “Babi, kur do t’ia japësh më në fund unazën mamit?”
Kjo pyetje e thjeshtë, siç ka pranuar vetë Ronaldo, e bëri të kuptonte se kishte ardhur koha për të bërë premtimin që e kishte shtyrë për vite me radhë. Dhe në gusht 2025, Georgina konfirmoi fejesën me një postim që u bë viral: një foto e dorës së saj me një diamant ovale 35 karatësh me vlerë mbi 5 milionë dollarë, dhe përshkrimin poetik: “Po, pranoj. Në këtë jetë dhe në të gjitha jetët e mia.”
Në intervistë, Ronaldo tha se ceremonia pritet të zhvillohet në Portugali pas përfundimit të Botërorit do të shënojë jo vetëm bashkimin e çiftit, por edhe mbylljen e një cikli të artë për CR7. Për të, gjithçka në jetë ka qenë çështje precizioni dhe kohe. Ndaj, edhe martesa e tij duket planifikuar me të njëjtën saktësi që ka ndjekur çdo gol të karrierës.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, pas verës së 2026-ës, Cristiano Ronaldo mund të mbajë në duar dy trofe: Kupën e Botës dhe duart e gruas së jetës së tij.
