
Gati një muaj pas grabitjes së Luvrit, bota ende mban frymën pezull. Në pritje të zbulimit të fundit të hetimeve, rikthejmë disa nga vjedhjet më të zgjuara dhe më të guximshme të të gjitha kohërave ngjarje që duken si vepra të një iluzionisti mjeshtër.
1. Grabitja e Luvrit (Paris, 2025)
Një grup grabitësish të maskuar si punëtorë ndërtimi u futën në muzeun më të famshëm në botë përmes një ashensori shërbimi dhe, për vetëm shtatë minuta, arritën të marrin disa nga xhevahirët më të çmuar të epokës napoleonike.
Midis tyre, një varëse smeraldi me vathë të përputhshëm, dhuratë e Napoleonit për gruan e tij të dytë, Marie Louise. Ndërkohë, kurora e perandoreshës Eugenia u gjet më vonë, por e dëmtuar pjesërisht.
Grabitja ndodhi në mëngjes, gjatë orarit të hapjes së muzeut një akt i pabesueshëm për guximin dhe saktësinë e tij.
2. Grabitja në “Diamond Center”, Antwerp (2003)
Një nga vjedhjet më legjendare të të gjitha kohërave. Ideatori, Leonardo Notarbartolo, një italian që u shtir për katër vjet si tregtar bizhuterish, arriti të fitojë qasje në ndërtesë përmes një zyre të marrë me qira.
Më 15 shkurt 2003, ai dhe katër bashkëpunëtorë çaktivizuan sensorë të nxehtësisë dhe sisteme alarmi për të hyrë në kasafortën e bankës së diamanteve. Ata vodhën mbi 120 kasa sigurie, me një vlerë që kalonte 100 milionë euro.
Gabimi i vetëm: një sanduiç i hedhur në një pyll aty pranë, i cili çoi policinë te ADN-ja e tyre.
3. Grabitja e “Graff Diamonds”, Londër (2009)
Dy burra hynë në një nga butikët më luksozë të botës, në Bond Street, të maskuar me proteza dhe grim profesional si në një film. Ata i detyruan punonjësit (që më vonë i përshkruan si “të sjellshëm”) të vendosnin 43 bizhuteri me vlerë 40 milionë euro në një valixhe lëkure.
Pas një ndjekjeje spektakolare, grabitësit ndërruan disa herë automjetet për të hutuar policinë, nga një Mercedes në BMW, e më pas në motocikletë. U kapën falë një celulari të harruar por bizhuteritë nuk u gjetën kurrë.
4. Grabitja në Aeroportin e Brukselit (2013)
Më 18 shkurt, ndërsa një avion i “Helvetic Airways” po përgatitej të nisej drejt Zyrihut me diamante bruto me vlerë 50 milionë euro, dy furgonë me drita blu u futën në pistë.
Grabitësit, të veshur si policë, morën kasafortën me diamante në vetëm pesë minuta, pa shkrepur asnjë plumb dhe pa u vënë re nga pasagjerët.
Ishte një operacion perfekt. Disa të dyshuar u arrestuan më vonë, por “truri” i vjedhjes nuk u zbulua kurrë.
5. Grabitja në Hotel “Carlton”, Kanë (2013)
Në kulmin e verës, një burrë hyri në ekspozitën e firmës “Leviev” gjiganti botëror i diamanteve me kapele, syze dhe shall. Brenda pak minutash, ai mori 72 bizhuteri me vlerë 100 milionë euro dhe doli nga një derë anësore.
Askush nuk e ndaloi. Ai u zhduk mes turmës që shëtiste në rivieren franceze.
Asnjë gjurmë, asnjë të arrestuar, asnjë diamant i gjetur.
6. Grabitja e Pallatit Duka në Venecia (2018)
Gjatë ekspozitës “Thesaret e Mogulëve dhe Maharajave”, dy burra të veshur si vizitorë i afruan një vitrinë pranë daljes dhe, me një lëvizje të vetme, morën një spille diamanti prej 10 karatësh dhe një palë vathë me vlerë 3 milionë euro.
Asnjë alarm nuk u aktivizua, askush nuk vuri re gjë.
Pamjet filmike tregojnë njërin prej tyre teksa fsheh bizhuteritë në xhep dhe kalon pranë rojes që po pinte kafen e fundit të ditës. As vjedhësit, as sendet nuk janë gjetur kurrë.
