Në mënyrë ironike, “Qyteti i Dritës” nuk dëshiron që ta ndani shkëlqimin e tij.

Pasi dielli perëndon mbi Paris, Kulla Eiffel ndriçohet në një spektakël mahnitës prej 20 000 dritash që vezullojnë deri në orën 23:00 (ose 01:00 gjatë verës).

Kjo shfaqje e përnatshme në monumentin më të famshëm të Francës është simboli më i njohur i “Qytetit të Dritës” dhe një minierë ari për rrjetet sociale, duke tërhequr qindra telefona si fluturat nga drita.

Por, siç rezulton, kushdo që ka postuar një boomerang në Instagram ose një video në TikTok, me shumë mundësi ka shkelur ligjin.

Gjithçka ka të bëjë me ligjin klasik të të drejtës së autorit, që parashikon se veprat arkitekturore në Europë mbrohen për aq kohë sa jeton autori ligjor i tyre, plus 70 vjet pas vdekjes.

Çfarë do të thotë kjo për postimet tuaja?

Si ndikon ligji tek turistët

Ndërsa vetë Kulla Eiffel, krijuesi i së cilës vdiq në vitin 1923, mund të fotografohet dhe publikohet lirisht, shfaqja e dritave të saj, e konceptuar në vitin 1985, konsiderohet ende një vepër e mbrojtur.

Kjo do të thotë se gjatë ditës, Kulla Eiffel është në pronë publike, ndaj është plotësisht e ligjshme të ndani sa më shumë foto të dëshironi.

Por shfaqja e dritave mbetet e mbrojtur nga ligji europian i autorit, prandaj është e paligjshme të përfitoni financiarisht nga fotografitë e saj gjatë natës.

Për shembull, turistët nuk mund t’i shesin këto foto për botime apo përdorime tregtare. Megjithatë, postimi i tyre në rrjetet sociale personale është i lejueshëm.

Edhe pse teknikisht nuk është e ndaluar të bëni fotografi të monumentit ditë a natë, në teori mund të merrni një paralajmërim ose kërkesë për heqje të fotos nëse e ndani pa leje.

Si dhe ku mund t’i ndani fotot tuaja

Ka edhe lajme të mira për turistët: nëse po përpiqeni thjesht të bëni një foto të bukur për Instagram, nuk keni arsye për shqetësim.

Marrja e masave ligjore ndaj përdoruesve të zakonshëm të rrjeteve sociale do të ishte një proces shumë i ndërlikuar dhe jo praktik.

Megjithatë, nëse dëshironi të publikoni imazhe të Kullës së ndriçuar për përdorim zyrtar apo komercial, duhet të kërkoni leje nga Société d’Exploitation de la Tour Eiffel (kompania që zotëron dhe operon monumentin).

Siç theksohet në faqen zyrtare të Kullës Eiffel:

“Fotografimi i Kullës Eiffel natën nuk është aspak i paligjshëm. Çdo individ mund të bëjë foto dhe t’i ndajë ato në rrjetet sociale. Por situata është ndryshe për profesionistët. Ndriçimi dhe shfaqja vezulluese e Kullës Eiffel mbrohen nga e drejta e autorit, ndaj përdorimi profesional i imazheve të saj natën kërkon autorizim paraprak dhe mund të jetë subjekt tarifash.”
Pra, mos hezitoni, bëni foton tuaj dhe ndani magjinë. Vetëm sigurohuni që ajo të mos përfundojë në kopertinën e një reviste pa leje. / Travel + Leisure

Përktheu Monitor